Indonezi, 2 qershor 2014 – Indonezianët të çmendur për Gareth Bale. Protagonist në dy titujt e Realit të Madridit këtë sezon, në Kupën e Mbretit dhe Champions League, uellsiani është bërë tashmë një idhull i tifozerisë së Los Blancos në çdo cep të botës. I gjendur në Xhakarta për një tur promocional, Bale as nuk mund ta kishte menduar se mijëra indonezianë do të qëndronin në pritje për orë të tëra vetëm për ta parë lojtarin 100 milionësh të Realit të Madridit.
Ndërsa pati edhe nga ata që paguan 190 Euro për të patur mundësinë e një takimi ballë përballë me uellsianin, për të folur për pak çaste e për të shkrepur ndonjë foto. Shifër pak e kripur për një vend, ku paga mesatare është rreth 2200 Euro në vit.
Teksa ndodhej në kryeqytetin e Indonezisë, Bale deklaroi se nuk ndihet aspak i penduar që është pjesë e kombëtares së Uellsit, edhe pse nuk ndodhet në Botërorin e Brazilit bashkë me yjet e tjerë të futbollit. Mesfushori 24-vjeçar tha se do të jetë gjithmonë i angazhuar në ekipin përfaqësues, ndërsa theksoi se fokusi tek Reali i Madridit është përsëritja e suksesit në Champions League.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





