TIRANE, 18 shkurt, 2013– Balerina, Linda Kalemi, vendosi që, përmes copëzash nga jeta e saj të hedhura në formë ditari, ta ndante dhimbjen e përpjekjet e së shkuarës, me të gjithë. E bëri së pari në faqen e saj në facebook, ku botoi të fragmentarizuar, jetën e saj. Divorci, për të cilin gratë sot nuk flasin, nuk mbështeten, apo qoftë edhe nuk munden, është thelbi i së tërës. Ka qenë një mbështjetje e ndërsjelltë, përmes saj e kolegeve të saj apo grave të tjera që gjenden në të njëjtat rrethana. Linda është shprehur për t’i mbështetur, për të qenë një zë, që i përfaqëon e për t’iu dhënë guxim të gjithave. Nga ana tjetër, edhe ato, u bënë të pranishme përmes qindra mesazheve që shkuan në postën e saj elektronike. Këto që Linda po ndan sot me ne, janë fare pak krahasuar me listën e gjatë të emrave që përshëndetën guximin e saj. Më poshtë, po ju lëmë të lexoni ‘ditarin’ e saj, ku përmbledhtazi thuhen të gjitha.
Ditari
Copëza nga buka e thyer…
Në rini kam qenë e shkathët, më pëlqente të krijoja, por më mungonte durimi.
Mosha 21 vjeç më gjeti nënë në familjen e tim shoqi. Vjehrra, mendjehapur që më hiqte nga duart çarçafët për t’i larë vetë, mos lodhesha apo mos më prisheshin duart. Ndërsa vjehrri i shqetësuar pse të birit i ra një nuse me profesion “horrash”, grindej me mua kur kthehesha vonë pas koncerteve. Kjo ishte zanafilla e kontraditave.
Djali ishte 4 vjeç, kur bie zilja. Ishte posta, kërkese-padi e vjehrrit për të ndare të birin nga unë. Sorrollatja, rezistenca ime zgjati një vit, im shoq u paraqit vetëm dy-tre herë. Shikimet tona të ngrohta detyronin gjykatësin të na kthente mbrapsht, por më në fund u dorëzova, pranova… Betejën e fitoi vjehrri, edhe pse i biri humbi punën për të kryer dënimin në Rrëshen… Aso kohe nuk ishte e lehte të shkatërroje familje, por edhe jo aq e lehtë për një femër të divorcuar të mbante kokën lart. Me frikën e njollës morale, zvarrisja djalin që flinte kuintave të skenave për t’u kthyer orët e vona në shtëpi. Kështu ikën 4 vite të zeza, por fati më ndihmoi. Një garzoniere e bekuar, që më dhuroi Komiteti Ekzekutiv më bashkoi, më martoi përsëri me burrin tim, por këtë radhë dëshmitar ishte djali. Sa bukur… ishim vetëm, shtëpia edhe pse shumë e vogël mjaftonte për të dhënë lumturi. Më pas lindi edhe djali i dytë. Përvesha mirë mëngët, shoqe kisha shtizat. Në një krahë beben, në një krah torbat e ushqimeve me tollona vrapoja për në koncerte. Vonë, pasi sistemoja çdo gjë, prisja në tryezën e zbukuruar tim shoq. Më zinte gjumi mbi pjatën bosh… por gjithmonë e njëjta përgjigje “isha me shokë”. Djali i dytë ishte tre vjeç, kur në rrugën tonë pranë ambasadave filluan krismat e sistemit që po thyhej. Ditët e fundit të ‘90-ës na gjetën pranë urës se Bosforit, Stamboll. Një shtëpi gjysmë e rrënuar një dyshek dhe një jorgan i lagësht mblidhte trupat e të katërve ne.
Vitet ecnin, djemtë studionin, filloi rimëkëmbja, por as kjo nuk ndryshoi gjë, përsëri e njëjta përgjigje “nuk kam kohë, bëje ti, isha me shokë”. Përgjigjen e gjeta diku tjetër, kur lexoj rastësisht në gjërat e tij “e shtrëngova ..u puthëm”. Mu errësua çdo gjë. Pas shumë muajsh konflikte, me padi në dorë ngjis shkallët e Gjykatës. Gjunjët nuk punonin, zemra, rrihte, fryma ndaloi. “Ta bëj, mos ta bëj”?! Një tmerr i vërtetë që duhej bërë, dhe u bë. Stambolli, sa suksese aq dhe vështirësi më dha. Përplasjet ishin tepër të forta, traumat ende nuk janë riparuar. Vuajtjet më bënë më të ndjeshme. Bashkëpunoja me institucione e organizata, psikologe e sociologe në aktivitete sociale e humane. Ishte terapi edhe për mua, fillova të kuptoj ndryshe, të korrigjoj veten në raport me punët, njerëzit, fëmijët. Fillova të pretendoj për më tej, ndiqja kurse e trajnime. Djemtë u shkolluan, të dy u diplomuan në Universitetin e Arteve për pikturë.
Kthimi i tyre në atdhe më detyroi edhe mua të jem këtu, të lë karrierën, famën, fitimet dhe pas 20 vjetësh të filloj nga zero kthesën e tretë.
Valbona Mema, këngëtare
Sot, në shoqërinë tonë është shumë e vështirë që një femër, aq më tepër një person publik apo artiste të shpalosë jetën private dhe problemet familjare të saj. Pothuaj çdo familje, çdo femër shqiptare, ka copëza nga jeta e saj në këto rrëfime sepse ende jetojmë në një shoqëri patriarkale. Edhe pse pas 22 vitesh, femra shqiptare ka arritur stadin të jetë e lirë, përsëri tabu-te tek ne nuk janë thyer, duhet të luftojmë të gjitha për këtë, të tregojmë vlerat, forcën tonë. Kjo fillon duke u shprehur, femrat duhet të nxjerrin zërin e heshtur që ndrydhet në errësirën e shpirtit të saj. Kjo është detyrë e të gjitha grave karshi fëmijëve tanë e brezave që vijnë. Edhe ne artistët duhet të shprehemi, të mbështesim me artin tonë, edhe unë do shprehem me këngën time.
Lili Cingu, balerinë
Ato vite ishim një brez artistësh të rritur mes varfërisë, injorancës dhe mosmirënjohjes. Edhe pse vinim nga familje të emancipuara shqiptare ishte shumë e vështirë të privonim këtë kënaqësi dhe një jetë normale si çdo femër, sepse sundonte mentaliteti patriarkal dhe censura e asaj kohe që vështirësonte jetët tona dhe kolegeve të mia që me sakrifica përballonin detyrat ndaj familjes e fëmijëve, të cilët shpesh i tërhiqnin zvarrë të përgjumur në orët e vona mbas kuintave të skenave. Punonim dhe jetonim bashkë pothuaj në çdo moment të ditës, çdo problem i tyre rrihej në sallë, skenë, autobus, hotel… Një epokë e mbushur sa me suksese e duartrokitje po aq edhe me psherëtima, lot, konflikte e ndarje… Mund ta quaj heroizëm të femrës artiste të asaj kohe, por edhe sot a është femra aq e vlerësuar sa e meriton? A është një artiste aq e kuptuar, e mbështetur nga familjarët e saj apo të bashkëshortit? Mendoj që kemi shumë për të bërë… Jeta e Lindës është vetëm një seri e serialeve nga jeta e femrave shqiptare.
Raimonda Moisiu, shkrimtare
Ndryshe nga këtu në USA, Linda, je e para grua shqiptare, figurë publike që shleton faqet dhe më thellë citon me rreshtat e romanit tënd privat, duke jetuar në një shoqëri si e jona.
Historia e Lindës nuk është vetëm një rrëfim, këto janë klithma, që shpërthejnë nga gra intelektuale, qytetare, nëna, motra, bashkëshorte, vajza të reja që thonë:Stop!
Fuqinë sot e ka arroganca si në fushën politike ashtu edhe atë qytetare e sociale. Linda mundi, gjeti një zgjidhje, një kuletë, një strehë por sa gra sot janë ende viktima të pasigurisë, se çfarë do të ndodhë më pas, si do të ngryset dita e gdhihet nata, çfarë do të ndodhë me fëmijët e tyre, se si do të ndihen, ku ato do të vazhdojnë të jenë të dyzuara me abuzuesin e tyre, ta falin apo jo, pa dashje apo me dashje!