Çdo gjë e lodhshme ose e keqe shoqërohet nga një gjë e mirë dhe rezultative. Unë besoj që asnjëherë nuk duhet të dorëzohemi edhe pse ndonjëherë mendojmë që ka ardhur fundi. Me punë e vullnet çdo gjë arrihet në këtë botë. Pasioni im i madh për baletin dhe puna këmbëngulëse bënë që ëndrrën ta bëja realitet

Enea Bakiu është një djalë i ri nga Durrësi, jo më shumë se 21 vjeç dhe me një pasion të madh për baletin. Shumë të rinj mund ta kujtojnë si shokun e tyre të fëmijërisë apo të klasës, apo mund ta kujtojnë për energjinë pozitive që ai arrinte t’i përcillte gjithnjë shoqërisë me ndjenjën e humorit, një veçori shumë e spikatur e karakterit të tij. Me të njëjtën ndjenjë humori dhe batutat që i ka pjesë të pandarë të komunikimit të tij u zhvillua edhe kjo intervistë, që vlen të theksohet se u bë online, meqë prej disa vitesh ai ndodhet në Gjermani, as më pak e as më shumë, por solist në “Anhaltisches Theater Dessau”. Një arritje e madhe për këtë djalë të ri që është vetëm në hapat e para të karrierës në këtë profesion. Enea vazhdonte të më kujtojë atë djalë të vogël, që e mbaj mend nga fëmijëria. Ishte vetëm 17 vjeç kur u nis drejt Francës, pasi kishte fituar një bursë studimi në një shkollë baleti atje. Meqë ishte hera e parë që udhëtonte me avion, kur zbriti harroi të merrte valixhen në aeroport, por kjo ishte vetëm një pakujdesi e shkaktuar nga emocionet e një aventure të re që po niste e që do ta çonte shumë larg, aq sa ai vetë ndoshta nuk do ta kishte menduar kur la pas Durrësin dhe prindërit e tij. Këmbëngulja, disiplina dhe korrektesa në punë duket se janë armët e tij fituese që i kanë hapur dyert e skenave europiane. Ndërsa baletin e nisi, siç thotë dhe ai vetë me shaka, sepse i pëlqenin balerinat, pak e nga pak ai iu kthye në një profesion dhe pasion të cilit i është dedikuar krejtësisht. Ai është shembulli i shumë të rinjve të talentuar durrsakë e shqiptarë që me shumë pasion i dedikohen ëndrrës së tyre dhe ia dalin me sukses.

Enea, ke pushtuar skenat jashtë Shqipërisë. Ç’mund të na thuash për karrierën tënde?

Në fillim për 3 vjet me rradhë kam kryer studimet në Cannes, Francë. Kam qenë pjesë e shkollës “Ecole Superieure de Danse de Cannes Rosella Hightower dhe një kompanie baleti të përbërë nga të rinj, “Cannes Jeune Ballet”. Në këto tre vite kam kërcyer në skena të mëdha si psh: në Teatrin Kombëtar të Nicës, Palais des Festivals et des Congrès de Cannes, në Montecarlo dhe në Paris.

Po pas përfundimit të studimeve çfarë bëre?

Momentalisht jam i punësuar në “Anhaltisches Theater Dessau”, në Gjermani. Është një nga teatrot më të mëdhenj të Europës dhe ka një rëndësi të madhe historike sepse është ndërtuar nga vetë Hitleri dhe për shumë vite është identifikuar me emrin e tij. Jam punësuar aty me kontratë një vjeçare. Në fillim të sezonit të rinovojnë kontratën (në tetor) ose në të kundërt shkëputen marrëdhëniet e punës. Mua personalisht ma kanë rinovuar, që do të thotë që do të jem pjesëtar i kësaj trupe përsa i përket sezonit 2012-2013. Punojmë fort. Ka periudha kohore kur jemi shumë të zënë dhe oraret janë më të zgjatura, jemi pothuajse nga mëngjesi deri në darkë në teatër. Por gjithashtu kur puna më e madhe ka mbaruar jemi më të lirë dhe oraret e punës reduktohen.

Sa shfaqe realizoni në një vit dhe cili ka qenë baleti më i rëndësishëm ku ke interpretuar si solist?

Përgjatë këtij sezoni kemi dhënë rreth 100 shfaqje në vit, ku përfshihen gjithashtu shfaqjet muzikore (Musical) dhe operetat. Në baletin “Der Widerspenstigen Zähmung” (Zbutja e kryeneçes), një vepër e njohur e Shekspirit, interpretoja si solist, bashkë me një balerin australian. Për interpretimin tim në këtë rol kanë folur mirë edhe mediat gjermane.

Bazat e baletit ti i hodhe që kur ndodheshe në Durrës. Na trego pak për ato vite…..

Këtë aventurë e kam nisur që kur isha i vogël. Shtysa le të themi që ishte ajo dëshirë fëminore, e të ndjerit paksa të ndryshëm nga të tjerët. Fillimisht u aktivizova me Qendrën Kulturore të Fëmijëve, Durrës. Ishte dëshira e madhe për të udhëtuar jashtë Shqipërisë, për të bërë njohje të reja dhe për t’u marrë gjithashtu me një aktivitet. Për më tepër më pëlqenin shumë edhe vajzat balerina….Shikoja se në këtë fushë kishte një mentalitet tjetër, paksa më të hapur dhe më ndryshe nga të tjerët përreth. Nga aty, dëshira u bë më e madhe dhe natyrisht unë u rrita dhe fillova të mendoja më shumë për të ardhmen time. Nuk ishte më një dëshirë fëminore, por ishte kthyer në një ëndërr ose më mirë në një mision për mua. Duhet ta kryeja me sukses. Kam rrezikuar shumë në këtë gjë. Le të themi që ka qenë “thikë me dy presa”.

Ti ke qenë pjesë edhe e Star Academy. Na e përshkruan pak atë eksperiencë?

Kur isha në vit të parë në gjimnaz, njëkohësisht shkoja përditë në Tiranë dhe ndiqja Star Akademinë dhe mësime private përsa i përket baletit klasik, sepse tashmë misioni im ishte që të ndiqja Shkollën e Baletit, në Tiranë. Edhe pse nga një anë ëndrra më dukej e parealizueshme, sepse për të hyrë në atë shkollë konkurimet bëhen që në klasë të pestë e jo në vit të parë të shkollës së mesme, motoja ime ishte: Me punë e vullnet çdo gjë arrihet në këtë botë. Pasioni im i madh për baletin dhe puna këmbëngulëse bënë që ëndrrën ta bëja realitet. Nga shtatë që konkuruam, dy fituan dhe unë isha një prej tyre. Humba një vit shkollor, por prapëseprapë kisha fituar artin. Atë vit shkolla e  baletit festonte 50 vjetorin e krijimit dhe  ftoi koreografë nga Rusia dhe Italia për të krijuar disa numra baleti për mbrëmjen gala. Nga e gjitha shkolla, që numëronte më shumë se 200 studentë unë dhe dy djem të tjerë u zgjodhëm si solistë në këto veprimtari artistike. Në të njëjtën kohë puna ime ishte shumëfishuar aq shumë sa nuk e kisha imagjinuar kurrë që do të ndodhte. Puna që të tjerët kishin vite që e bënin unë e arrita në më pak se një vit. Por ka qenë një vit pak a shumë i errët për mua, pa parë e bërë asgjë tjetër përveç baletit.

Por të solli rezultate…..

Çdo gjë e lodhshme ose e keqe shoqërohet nga një gjë e mirë dhe rezultative. Une besoj që asnjëherë nuk duhet të dorëzohemi edhe pse ndonjëherë mendojmë që ka ardhur fundi. Edhe nëse një gjë përfundon një tjetër nis, kështu që gjithmonë duhet të ecim përpara.

Ti tashmë e kishe atë që dëshiroje, po studioje në shkollën e baletit. Pse ike jashtë shtetit?

Profesori kujdestar i baletit, gjatë vitit të parë më fliste për një shkollë shumë të mirë e të famshme, e cila ishte kjo e Cannes dhe më tha se para meje kishte shkuar një tjetër nxënës i tij dhe kishte arritur rezultate shumë të mira. Unë e miratoja, po nuk e mora shumë seriozisht. Nuk mendoja që me një vit balet mund të shkoja në një shkollë kaq prestigjioze dhe të famshme në mbarë Europën. Por në një ditë “të bukur” shiu, profesori më dha kontaktin e një personi tjetër që merrej me drejtimin e një organizate që quhet “Tempus”. Shkova  aty, u prezantova, diskutuam dhe vendosëm që të bënim një video me disa numra të mi dhe ta dërgonim. Ndërkohë familja ime nuk dinte asgjë për këtë. Nga fillimi i verës më vjen përgjigjja pozitive. Më ofronin një bursë të plotë një vjeçare. Për mua ishte një lajm BOMBË, mirë që s’më ra një atak zemre…. Bëj shaka. Pas kësaj shkova në shtëpi dhe fola me prindërit. E bukura ishte që ata më thonin: “Enea të lutemi boll me ëndrra, sepse s’kemi kohë për të humbur, kushtoi vëmendje mësimeve dhe kaq…” U thashë që duhet të vinin në Tiranë me mua për të takuar atë personin, sepse nuk kishim kohë për të humbur, sezoni në Francë fillonte shumë shpejt dhe nuk kishim kohën e duhur për të bërë të gjitha gati; letrat, vizën etj. Kur takuan drejtorin e Tempusit desh u ra infarkti atyre, sepse atëherë kuptuan se nuk ishte shaka, por realitet. Kujtoj që e nisa këtë aventurë dy muaj me vonesë, sepse nuk më jepnin vizën për në Francë.

Si të pritën në shkollën e re? Si silleshin me ty pedagogët, studentët e tjerë?

Atje ishte një mentalitet komplet ndryshe, më dukej vetja si Alice in Wonderland (Liza në botën e çudirave). Kohët e para kanë qenë shumë të vështira… Të të them një gjë për të qeshur… Nga gëzimi u hutova tërësisht. Sa zbrita në aeroportin e Nicës dola jashtë. Isha vetëm 17 vjeç, sapo i kisha mbushur, dhe ishte hera e parë që udhetoja vetëm dhe me avion. Dola jashtë aeroportit dhe kisha vetëm çantën e shpinës, lap topin dhe kaq, por ndihesha shumë i lirë dhe thoja me vete shumë mirë, shumë bukur, çdo gjë në rregull. Dola jashtë dhe preva biletën duke folur gjysëm shqip gjysëm anglisht. Shkova tek stacioni për të pritur autobuzin për të shkuar në Cannes. Por kur erdhi autobuzi dhe po shikoja njerëzit që po fusnin valixhet e mëdha brenda mu errësuan sytë dhe ia futa vrapit, sepse kisha harruar valixhen e madhe në aeroport. Shkova prapë në aeroport dhe për fat gjeta rojet dhe u shpjegova çfarë më kishte ndodhur. Më çuan tek zyra e sendeve te humbura, por e mora çantën gjysma-gjysma, ma kishin hapur dhe shumë gjëra më kishin humbur, por prapë isha i gëzuar.

Ti je larg, po ndërton jetën dhe karrierën tënde larg vendit tënd, larg Durrësit. Ke ndonjë lidhje emotive të veçantë?  Të merr malli?

Më mungon deti, po dhe vajzat e bukura durrsake!!!! Po bëj sërish shaka. Me qytetin e Durrësit më lidh e gjithë fëmijëria ime, aty jam rritur dhe kam ndjekur ciklin 8-vjeçar. Shumë kujtime, momente, ngjarje të rëndësishme kanë filluar nga Durrësi. Nëse nuk do të kisha shkuar në QKF Durrës, sot nuk do të isha këtu ku jam. Pastaj familja ime është në Durrës, kështu që shpesh kthehem aty. Kam dhe  miqtë e shoqërinë atje. Dua ta mbyll me këtë shprehje shumë të bukur: Miqtë e vjetër janë si puna e verës, sa më e vjetër është vera aq më e mirë është. Kështu është edhe shoqëria e miqtë e vjetër.