Prej 9 ditësh, stacioni i edicionit të V-të të projektit Balkan’s Gate është qyteti i Durrësit. Dhjetëra të rinj, të apasionuar pas kinematografisë, po realizojnë në qytetin bregdetar 3 filma me metrazh të shkurtër dhe një dokumentar, të cilët do të shfaqen mbrëmjen e së dielës në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”. Organizatorja e këtij projekti, Ajola Daja rrëfen për “DurrësLajm” se primare gjatë këtyre ditëve plot punë dhe shkëmbim eksperiencash është që të rinjtë në fund të konkretizojnë një produkt final.

“”Balkan’s gate” është një rezidencë kulturore prodhuese, ku mblidhen të rinj shqiptarë dhe të huaj për të realizuar filma me metrazh të shkurtër brenda 10 ditëve. Ata punojnë me rotacion në punët e njëri-tjetrit, i xhirojnë dhe i montojnë filmat dhe i bëjnë gati për shfaqje në ditën e fundit. Pra është një rezidencë që është me një produkt në fund”,- thotë ajo.

Një nga vështirësitë e shtuara gjatë trajnimit që duhet të përfundojë brenda 10 ditësh është dhe pandemia Covid-19. Disa prej trajnimeve janë zhvilluar online, për shkak se regjisorët e huaj e kishin të pamundur të vinin, ndërkohë që disa të ftuar gjithashtu nuk mund të jenë pjesë e edicionit të këtij viti, pikërisht për shkak të kufizimeve.

Por vështirësitë duket se i kanë karikuar edhe më shumë të rinjtë, për të fokusuar gjithë energjinë e tyre në projektet ku janë angazhuar.

Pjesëmarrësi më i vogël në këtë projekt është Joni Budina, i cili ende nuk ka mbushur 17 vjeç. Djali i regjisorit të njohur Robert Budina, rrëfen se për të kjo është eksperienca e parë e mirëfilltë në kinematografi dhe vështirësitë me të cilat janë përballur e bëjnë edhe më interesant të gjithë projektin.

Në “Balkan’s gate”, Joni Budina prezantohet me një film me metrazh të shkurtër, që trajton jetën e një djali të vogël që ndodhet në koma për shkak të një aksidenti. Tashmë kur jemi rreth 24 orë larg afatit final, ai është “zhytur” në montazh, për të përfunduar filmin e tij të parë.

Megjithëse ende adoleshent, ai i ka idetë e qarta. Duket se do të vijojë rrugën e artit, ashtu si babai dhe xhaxhai i tij, Robert dhe Edmond Budina.

Prej dy vitesh, Balkan’s Gate bashkëpunon ngushtë me universitetin “Aleksandër Moisiu”, me degën e Multimedias. Bashkëpunimi këtë vit është edhe më gjithëpërfshirës, meqë të gjitha energjitë janë të përqendruara në Durrës.

“UAMD ka bashkëpunuar me ne jo vetëm përmes studentëve që kanë ardhur dhe janë bërë pjesë e projektit të sezonit të kaluar, por edhe me aparatura. Këtë vit, duke qenë në Durrës, bashkëpunimi ka qenë shumë më i thellë dhe shumë më konkret.  Studentët momentalisht janë duke montuar në ambientet e Multimedias, në UAMD”,- thotë Daja.

Prej disa ditësh, të rinjtë kanë xhiruar në pika të ndryshme të qytetit bregdetar, ndërsa tashmë energjitë e tyre janë përqendruar në montazh. Orët e fundit janë mjaft të ethshme dhe të ngarkuara me punë, deri në realizimin final të produktit kinematografik. Për shumë prej tyre, kjo eksperiencë e parë mund të jetë një ogur i mirë për nisjen e rrugëtimit në fushën e bukur të artit.

M.B.