TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla ka vijuar edhe sot serinë e akuzave ndaj fëmijëve të kryeministrit Berisha, për pasurinë e tyre. Edhe pse një ditë më parë fëmijët e kryeministrit i janë përgjigjur akuzave të tija, duke e ftuar të takohen në gjykatë, Balla deklaron sot se, opozitës nuk mund t’i mbyllet goja. 

“Jam thellësisht i keqardhur që Argita dhe Shkëlzen Berisha reaguan dje vetëm duke shpifur për kryetarin e PS dhe nuk sqaruan si e kanë vënë pasurinë e tyre përrallore. Aq më keq që kërcënuan me një tjetër proces gjyqësor, në vazhdën e gjyqeve që kanë hapur me opozitën në një përpjekje të dështuar dhe të kotë, për të na mbyllur gojën”, tha ai. 

Duke iu kundërpërgjigjur fëmijëve të kryeministrit Balla nënvizoi: “Unë do doja t’ju tregonin sot shqiptarëve se si mund të bëhen edhe ata aq të pasur, pa qënë fëmijët e Saliut. Se sic e dimë ne dhe mbarë shqiptarët, e di edhe Argita edhe Shkëlzeni se këto para dhe këto prona i kanë vënë vetëm falë babit kryeministër. Ai është kryeministri më i korruptuar në këto 100 vjet shtet shqiptar.

Prandaj o kalamajtë e babit, ju mund të hapni gjyqe sa të doni, madje dhe mund t’i fitoni ato me ushtarët e korruptuar të babit në gjykata por s’mund ta mbuloni të vërtetën e hidhur të qeverisjes së stërkorruptuar të babit tuaj, prej së cilës keni përfituar dhe përfitoni përditë. Ju ka mbetur edhe pak kohë, muaj, javë e ditë deri sa të përballeni me drejtësinë e vërtetë, e të pavarur që punon për Shqipërinë e shqiptarët e jo për babain tuaj”, ka deklaruar deputeti Balla.