TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla, gjatë një konference për shtyp ka denoncuar pasurinë e vajzës së kryeministrit Berisha, Argita Berisha, të deklaruar për vitin 2011.
“Sot po vazhdojmë të denoncojmë bllokmenët e rinj, siç preferon ta quajë Sali Berisha familjen e tij biologjike dhe politike. Sot do flasim për vajzën e kryeministrit dhe deklarimin e saj të pasurisë për vitin 2011. Pasuria e vajzës së kryeministrit është shtuar me 210 milionë e 784 mijë lekë”,- tha Balla.
Sipas Ballës në një vit krize si ai që lamë pas, asnjë shqiptar nuk ka deklaruar një pasuri të tillë, si Argita Berisha.
“Në vitin e krizës së thellë ekonomike, të varfërisë, të papunësisë por edhe të korrupsionit masiv, vajza e kryeministrit e ka shtuar pasurinë e saj. Në Shqipëri nuk mund të gjejmë një pagesë të tillë, Në nivel ndërkombëtar mund të gjejmë një person. Vajza e kryeministrit paguhet sa zv/Presidenti amerikan Biden në një vit”, tha ai.
Balla shtoi se “në deklaratën e saj të depozituar pranë ILDKP ajo fiton 12 milionë nga mësimdhënia universitare, pra paguhet si mësuese. Sa janë mësuesit që paguhen si ajo? Ajo paguhet sa 20 drejtorë shkollash në muaj”,- shtoi Balla.