TIRANE, 14 prill 2013- Partia Socialiste vijon fushatën denoncuese “100 arsye për të mos votuar Berishën”. Në një konferencë për shtyp nga selia e PS-së, deputeti Taulant Balla akuzoi sot qeverinë për dështimin me Forcat e Armatosura, pasi sipas tij, ushtria shqiptare është sot e nëpërkëmbur në dinjitetin e vet. 

Ndërsa kujtoi denoncimet e bëra herë pas here nga socialistët për trafikun e armëve nga Shqipëria drejt vendeve që kanë konflikte të brendshme, Balla theksoi se raporti i OKB-së vërtetoi se “qeveria shqiptare i ka shndërruar Forcat e Armatosura në një supermarket armësh”. 

“PS ka denoncuar Sali Berishën dhe Ministrinë e Mbrojtjes, drejtuesin e kësaj ministrie, Arben Imamin si shkaktar i rrënimit të Forcave të Armatosura. Kemi denoncuar trafikimin e armëve, që u vërtetua nga hetimi i organizatës së OKB-së.”- deklaroi Balla. 

Ndër të tjera, deputeti Balla akuzoi qeverinë për përgjimin e opozitës, duke theksuar se PS disponon prova të forta shkresore që vërtetojnë blerjen dhe përdorimin e pajisjeve të përgjimit. 

Lidhur me privatizimin e pronave të Ushtrisë, Balla tha se qeveria e ka zhveshur Ushtrinë nga pronat përmes një procesi jotransparent.