TIRANË– Deputeti socialist, Taulant Balla, i është kundërpërgjigjur sërish sot kryeministrit Berisha për pasuritë e familjes së tij. Prej ditësh deputeti socialist ka ndërmarrë një fushatë denoncimi në media për pasuritë e fëmijëve të kreut të qeverisë. Balla ironizoi me fëmijët e Berishës kur u shpreh se ata kanë një shkop magjik për bërjen e parave dhe pronave, ndërsa u sugjeroi që ta përdorin për të pasuruar edhe shqiptarët.
“Sepse kështu ndihmojnë edhe babin, që të mos i varfërojë e rrënojë më tej shqiptarët me paaftësinë e me babëzinë e tij. Nejse, për sa kohë Argita dhe Shkëlzeni nuk na e tregojnë shkopin magjik, atëherë mbetet vetëm pasurimi falë pushtetit të babit. Të paktën deri dhe nëse ata do t’u tregojnë shqiptarëve, se cilat janë bizneset që kanë ndihmuar apo konsultuar juristja Argita dhe ndërmjetësi Shkëlzen?? Cilët janë pronarët e këtyre bizneseve? A ka ndonjë lidhje mes këtyre bizneseve që janë falur në derën e fëmijëve të kryeministrit dhe punës që bën babi i Argitës dhe Shkëlzenit? A kanë përfituar para publike, licenca apo koncesione të pasurive shtetërore, nga ato që i menaxhon babi Saliu, biznesmenët që kanë kërkuar konsulencën e Argitës apo ndërmjetësimit e Shkëlzenit?”, pyet Balla.
Nga ana tjetër deputeti socialist i kërkoi kryeministrit të shpjegojë mënyrën sesi kanë dalë jashtë vendit 1.3 miliard dollarë si dhe të gjejë mënyrën t’i kthejë ato mbrapsht.
“Tani ka dalë edhe ky 1.3 miliardësh i dollarëve të arratisur ilegalisht nga Shqipëria gjatë qeverisjes së tij. 1.3 miliard dollarë, që ia kanë vështirësuar shumë justifikimet Saliut! Por ne s’ia zgjidhim dot Saliut hallin, që sjell me vete pasuria e bërë përmes abuzimit me pushtetin. Është e qartë si drita e diellit, se pasuria përrallore e fëmijëve të tij, që është edhe pasuria e tij në fakt, kërkon shpjegim”,- u shpreh Balla.
Duke marrë shkas nga deklarata e sotme e Berishës së do të sjellë në atdhe kokën e Ali Pashë Tepelenës dhe eshtrat e Mit’hat Frashërit, Balla i sugjeroi kreut të ekzekutivit që të mos merret me to.
“Edhe diçka Sali, lëre kokën e Ali Pashës aty ku është se boll e lemerise Ahmetin, që e nxore nga një varr normal në Paris dhe e fute në dhe brenda një kioske pa leje dhe pa pikë turpi e quan edhe mouzoleum. Po shiko se mos kthen ato 1.3 miliardë dollarë që kanë ikur ilegalisht nga Shqipëria”, përfundon deklaratën Taulant Balla.