TIRANE – Deputeti socialist, Taulant Balla, ka vijuar edhe sot akuzat e tij ndaj eksponentëve të mazhorancës, por këtë herë nga foltorja e parlamentit. Gjatë fjalës së tij, në seancën e sotme, Balla akuzoi qeverinë dhe kryetaren e parlamentit se nuk respekton prokurimet publike.
Balla iu referua reklamave shtetërore duke akuzuar qeverinë se me paratë e taksapaguesve po mban në këmbë televizionet dhe gazetat pro qeverisë. Në të njëjtën kohë Balla akuzoi kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topallin, për blerje dhe festa pa fund me paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Akuzat e tij deputeti socialist i përqendroi edhe tek ministria e integrimit, Majlinda Bregu e cila sipas tij ka harxhuar një shumë të konsiderueshme pa zbatuar procedurat e prokurimit publik.
“1. 1 milionë dollarë fishekzjarrë blen Majlindja Bregu dhe nuk respekton rregullat e prokurimit publik. Arben Imami vazhdon të shesë skrap dhe në procedurat që aplikon nuk merr për bazë rregullat e prokurimit publik”,- tha Balla.