Në një deklaratë për mediat nga kryesia e Kuvendit pas takimit me përfaqësues të Bundestagut gjerman, kreu i deputetëve të PS-së, Taulant Balla tha se shumica e partive gjermane janë në favor të Shqipërisë duke përjashtuar këtu Ekstremin e Djathtë, për nisjen e negociatave.
Sipas tij javën tjetër, Komisioni Europian duket se do t’i sugjerojë vendeve anëtare hapjen pa asnjë kusht të negociatave të Shqipërisë me BE.
“Menjëherë më pas qeveritë e vendeve anëtare sipas procedurave të përcaktuara në funksionimin e tyre u kërkojnë parlamenteve të tyre pikërisht dhënien e vlerësimit.
Në Bundestagun gjerman është që në një seancë plenare të Bundestagut gjerman shprehen deputetët, kërkohet një shumicë për ti kërkuar më pas qeverisë vendimarrjen përfundimtare.
Është shumë e rëndësishme të kuptojmë të gjithë që ditët në vijim dhe javët në vijim janë ditë shumë të rëndësishme dhe javë shumë të rëndësishme për Shqipërinë sepse hapja e negociatave nuk duhet konsideruar kurrsesi si një fitore e PS-së si partia qeverisëse e vendit por në radhë të parë duhet konsideruar si një moment historik për të gjithë shqiptarët.
Duhet të kemi parasysh se ky është një vit i rëndësishëm edhe për institucionet europiane sepse viti i ardhshëm është një vit zgjedhor për institucionet europiane që do të thotë se nëse do të humbnim, larg qoftë, trenin këtë vit do të duhet të prisnim të paktën dy-tre vite të tjera.
Unë jam shpresëplotë edhe nga bashkëbiseda se grupet e mëdha politike në parlamentin gjerman do ta mbështesin, jo vetëm koliacioni qeverisës CDU-CSU dhe Socialdemokratët por edhe të Gjelbërit që janë në një numër jo të paktë, por edhe liberalët. Duhet të kemi parasysh që grupi i ekstremit të djathtë me shumë siguri nuk do të jetë në favor të kësaj sakohë që nuk janë në favor as të BE”, tha Balla.





