TIRANË– Deputeti Taulant Balla ka dalë me një tjetër deklaratë pas reagimit të djeshëm të Shkëlzen Berishës, për hedhje në gjyq për akuza të rreme ndaj tij.
"Familja e Saliut vazhdon t’i hakërrehet opozitës, ndërkohë që ne nuk zmbrapsemi nga pyetjet tona për pasurinë e dyshuar të kësaj familjeje. Dje Saliu nxori djalin, për të shantazhuar PS me gjyqin e radhës në gjykatën e kontrolluar prej babit. Sipas Shkëlzenit, PS po shpif, por fakti është që PS ka lexuar fjalë për fjalë dhe shifër për shifër vetëm deklaratat e pasurisë të familjes Berisha, ndërkohë që po pyet dhe po pret përgjigje në emër të opinionit për disa pyetje, që lidhen pikërisht me çfarë ata vetë kanë deklaruar",- ka nisur deklaratën Balla, duke vijuar me pyetjet:
1. Si ka mundësi, që ndërsa advokon formalizimin e ekonomisë, vetë Saliu na paska një thes 10 milionësh në një cep të shtëpisë, të cilin pothuaj e kishte harruar?
2. Si ka mundësi që vajza e Kryeministrit, zonja Argita Berisha, na merrka 146 milionë lekë nga mësimdhënia? Vetëm pse babi është Kryeministër, e bija e tij na qenka edhe mësuesja më e paguar në botë.
3. Kush janë universitetet që paguajnë tarifa të tilla, që rivalizojnë me universitetet më prestigjioze në botë?
4. Sa orë në vit jep mësim kjo zonjë, për të marrë këto lloj pagesash?
5. Çfarë biznesi ka zhvilluar me pronat e paluajtshme i biri i Kryeministrit Shkëlzen Berisha për të fituar mbi 490 milionë lekë?
6. Si i janë shtuar pasuritë me 100 mijë euro më tepër sesa të ardhurat në një vit?
7. Cilat janë bizneset që kanë ndihmuar, apo konsultuar juristja Argita dhe ndërmjetësi Shkëlzen?
8. A nuk meritojnë një sqarim publik këto pikëpyetje rrëqethëse që lindin nga deklaratat e errëta të pasurisë së familjes së kryeministrit. Si munden këta njerëz t’i ikin përgjegjësisë publike të transparencës duke akuzuar në tym PS dhe Edi Ramën?",- përfundon pyetjet Balla.
Më tej deputeti socialist tha se familja e kryeministrit “jetojnë në një botë tjetër. Në një botë pa asnjë barazi para ligjit. Në një botë pa shtet e as institucione në shërbim të publikut. Në një botë ku njerëzit vrasin veten nga varfëria, kurse të pushtetshmit lundrojnë në lumenj parash të pista”.