TIRANE – Për të katërtën ditë rradhazi deputeti socialist Taulant Balla ka vijuar të bëjë publike deklaratën e të ardhurave të vajzës së kryeministrit Sali Berisha. Ditën e sotme vëmendja e Ballës është përqendruar tek të ardhurat e deklaruara nga Jamarbër Malltezi bashkëshorti i Argitës. 

Sipas Ballës dy bashkëshortët së bashku realizojnë në një vit 216 milion lekë të ardhura nga mësimdhënia.

“Nëse Argita Berisha në një vit ka përfituar plot 146 milionë lekë nga mësimdhënia, nuk mbetet prapa as bashkëshorti i saj. Plot 70 milionë lekë për Jamarbër Malltezi, sipas deklaratës së tij të pasurisë, të fituara po ashtu nga mësimdhënia, gjatë një viti. Për ta bërë sa më të qartë për të gjithë shqiptarët, çifti Argita Berisha dhe Jamarbër Malltezi në një vit janë paguar 216 milionë lekë si mësues, ndërkohë që fitimet e tyre vjetore janë plot 313 milionë lekë. Ky është çifti më i paguar i bllokmenëve blu, vajza dhe dhëndri i Kryeministrit”,- tha deputeti socialist.

Duke llogaritur matematikisht të ardhurat e fituara nga mësimdhënia dhe tarifën me të cilën paguhet një orë mësimi, deputeti Balla tha se vajzës së kryeministrit të vendit i bie të japë çdo ditë gati 22 orë mësim.

“Dihet publikisht se çdo orë mësimi në fakultetet shtetërore paguhet maksimumi 10 mijë lekë dhe në fakultetet private paguhet maksimumi 30 mijë lekë. Pas një llogarie të thjeshtë, sipas kësaj tarife, del se Jamarbëri jep me këtë tarifë 2333 orë mësim, ndërsa Argita thyen çdo rekord duke rezultuar se jep 4867 orë mësim në vit. Me këtë llogari mjaft të thjeshtë na rezulton se zonja Argita Berisha, në 223 ditë shkollore në total, jepka mësim gati 22 orë në ditë, pavarësisht në është ditë apo natë”,- tha Balla.