Nga Asambleja Kombëtare e PS-së, sekretari i Përgjithshëm Taulant Balla komentoi me ironi rreth veprimit të Monika Kryemadhit që gjuajti me çizme në Kuvend Edi Ramën, duke falënderuar deputetët e grupit të tij parlament që u treguan gjakftohtë rreth gjuhës dhe provokimeve të rrugës.

“Dua të falënderoj gjithë deputetët tanë për gjakftohtësinë që treguan ndaj dhunës, provokimeve, gjuhës së rrugës në seancën e fundit të vitit të vjetër. Seanca e fundit ishte dhe do mbahet mend si seancë që e dëmtoi Shqipërinë. Ndjesë gjithë shqiptarëve, pa dallim por edhe partnerëve tanë ndërkombëtarë për shfaqjen e radhës së përpjekjes së dëshpëruar për bllokimin e Reformës në Drejtësi. Shqipëria nuk e meriton as baltën, as tymin, as vallen e çizmeve firmato në ajrin e parlamentit si pasojë e shfrenimit të mbledhur grusht nën çadrën e frikës prej Reformës në Drejtësi”, tha Balla.