Ministri i Brendshëm Taulant Balla përcolli përgëzime për punën e policisë në operacionet kundër kultivimit të kanabisit.
Balla nënvizoi punën intensive të Policisë së Shtetit ndërsa ndau pamje nga operacionet e zhvilluara nga forcat e rendit, ku janë asgjësuar rreth 15 mijë bimë narkotike.
“Policia e Shtetit, javët e fundit, ka shpeshtuar operacionet antikanabis në zonat me risk të lartë. Në 24 orët e fundit, në gjithë territorin e vendit, operacionet janë zhvilluar jo vetëm nga toka, por edhe nga ajri përmes helikopterit, me qëllim goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike”, shkruan Balla.
“Përgëzime Policisë së Shtetit Shkodër, Malësi e Madhe, Pukë, Skrapar, Krujë, Kurbin dhe Peqin, për asgjësimin e rreth 15 mijë bimëve narkotike, si dhe vënien para drejtësisë së shtetasve që ushtronin këtë veprimtari kriminale”, shkruan ministri Balla në rrjetet sociale.