Kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla thotë se Presidenti Ilir Meta nuk i ka thërritur zgjedhjet vendore në respekt të Kushtetutës.

Në një takim me banorët e dy lagjeve në Lushnje ku prezantoi kandidaten për bashki, Eriselda Sefën, Balla deklaroi se qytetarët që kanë mbështetur PD-në nuk e gjejnë më veten tek Basha dhe Berisha.

Sipas tij, këto zgjedhje vendore, u thirrën nga Meta vetëm për të matur “forcën” me votat që ai mund të marrë me Berishën në krahasim me Bashën

“Ata që kanë mbështetur PD-në, ata nuk e gjejnë më veten as tek Saliu që ka hyrë tek shtëpia e Ilirit, as tek Luli që ka vjedhur shtëpinë e Saliut, sipas asaj që thotë vetë Saliu. Të dy janë të së shkuarës dhe nuk kanë lidhje me të shkuarën. Unë nuk dua që demokratët e Lushnjes të japin votën. Këto zgjedhje në 6 mars, Ilir Meta i thirri jo për të respektuar Kushtetutën, se sipas rregullit zgjedhjet do ishin bërë verën e vitit të kaluar. Për Shkodrën Ilir Meta priti 6 muaj. Këto zgjedhje u thirrën për të parë se sa vota ka Saliu dhe Iliri bashkë, dhe sa ka Luli se di me kë do jetë. Unë e them troç. Nuk krahasohen dot kurrë punët që ka bërë PS, me ato që kanë bërë ato që nuk ekzistojnë. Këtë fushatë do e shfrytëzojmë. Sot jemi në dy lagje të rindërtuara të Lushnjës. Duhet të trokasim çdo derë. Duhen mbajtur shënim të gjitha pakënaqësitë e qytetarëve lushnjarë. Unë kam kritikat e mia për punët që duhen bërë në Lushnje. Duhen vëmendje, jo shumë fonde. Nga trotuarët, siguria e këmbësorëve dhe të gjitha. Ne po bëjmë një projekt me qeverinë gjermane, e cila prej disa kohësh ka financuar kanalizimet e ujërave të zeza. Falë Eriseldës, e cila ka treguar integritetin e duhur dhe komunikimin e duhur me donatorët. Qeveria gjermane nuk financon nëse nuk gjen qeverinë e duhur. Bashkia e Lushnjes ka fituar besimin e humbur prej disa kohësh të donatorëve të huaj.”, pohoi Balla.