Mbahet ditën e sotme Komisioni për Sigurinë Kombëtare për shqyrtimin në parim të projektligjit për Policinë e Shtetit. I pranishëm në këtë komision është edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili ka thënë se ky projektligj do të reformojë dhe do të ngrejë në një tjetër nivel Policinë e Shtetit. Gjatë fjalës së tij para Komisionit të Sigurisë, ministri Balla ka shtuar se ligji i ri përmirëson zhvillimin profesional të punonjësit të policisë.

Taulant Balla: Nisma për të hartuar një ligj të ri për Policinë e Shtetit ka qenë një hap i rëndësishëm përsa i përket përmbushjes së detyrimeve tona në rrugën drejt anëtarësimit në BE për detyrimet që lidhen me forcimin e shtetit të së drejtës. Kjo nismë krijon infrastrukturën për forcimin e kapaciteteve të Policisë në përgjigje të kërkesave integruese në fushën e rendit dhe sigurisë për çdo sfidë në luftën kundër krimit. Flas për krimin në vend, ndërkufitar dhe atë në nivel ndërkombëtar.

Ndihem krenar për faktin që iniciativa të ndryshme ligjore përsa i përket përmirësimit të kuadrit ligjor për përmirësimin e Policisë së Shtetit kanë ardhur për një zgjidhje të të gjitha çështjeve që duhen adresuar për të konsoliduar përvojën deri më tani dhe për të ju përgjigjur të gjitha sfidave nga 2024 në vitet pasardhëse, shtuar dhe sfidën e një vizioni, Shqipëria 2030, vend anëtar i BE-së.

Projektligji është një sipërmarrje e përgjegjshme e iniciuar që në Shtator 2023 dhe procesi i hartimit të tij i është nënshtruar një qasje shumë të strukturuar e shtrirë në kohë, me një punë konstante, një diskutim konstruktiv me Policinë e Shtetit, nënvizoj konsultimin prej ditës së parë me partnerët ndërkombëtarë, bazuar në analiza me qëllim konsolidimin për ligjin ekzistues. Gjithçka që ka qenë e mirë nga ligji ekzistues, është përforcuar.

Hartimi i ligjit është mbështetur në analiza të thelluara, të mbështetura në modelet e Policisë së Shtetit bazuar në modele si ai i Italisë, Sllovenisë, Rumanisë, etj, me eksperienca të ngjashme si dhe ekspertizës së organizatave ndërkombëtare. Ky projektligj ka kaluar përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe me institucionet e pavarura të vendit.

Ligji sjell reformim dhe ngritje në një nivel tjetër i Policisë së Shtetit. Iniciativa ligjore që shqyrtohet sot në parim ka marrë gjithë mbështetjen e partnerëve dhe ka marrë edhe nga institucionet e pavarura në vend si një reformë e thellë e Policisë së Shtetit.

Ky ligj do të mundësojë adresimin dhe rekomandimin e organizmave ndërkombëtare për krijimin, për plotësimin e strukturave që nuk i kemi, plotësojmë ato që i kemi me një organizim më efektiv. Në thelb përmbushjen për të plotësuar integritetin e institucioneve në vend, veçanërisht me qasjen drejt implementimit të konceptit: Policia pranë komuniteteve.

Përmirëson:

-Organizimin e Policisë së Shtetit.

-Funksionimin e strukturave policore në të gjitha nivelet.

-Zhvillimin profesional të punonjësit të policisë.

-Dëshirën tonë për të garantuar ecjen në karrierë të punonjësve të policisë.

Kërkojmë që me këtë ligj të marrim mbështetjen tuaj. Sapo ta miratojmë, ia dorëzojmë Kosovës që na kanë kërkuar ta marrin si model.