Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u shpreh gjatë seancës plenare se mazhoranca është e gatshme të punojë bashkë me opozitën për të përballuar këtë situatë të vështirë të krijuar si pasojë e luftës në Ukrainë. Por Balla u shpreh se një pjesë e opozitës prej kohësh ka zgjedhur të jetë në krahun e Putinit.

“Të dashur kolegë, ky është një debat që për ne është një debat që mezi e kemi pritur. Ne do ta vazhdojmë të subvencionojmë çdo familje. Po ju them që kjo është një situatë lufte, në luftë ka nevojë për të qenë të bashkuar. Ne duam të punojmë edhe me ju nëse ju jeni të gatshëm për të përballuar këtë situatë të vështirë. Por një pjesë e juaja kanë zgjedhur prej kohësh të jenë në krahun e Putinit, jo në krahun e duhur të historisë”, u shpreh Balla.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së hodhi akuza ndaj Berishës dhe tha se kundërshton investimet amerikane. Sipas tij, në ditët në vijim deputetët opozitarë duhet të bëhen gati për t’u njohur me fakte të tjera në lidhje me çështjen e financimit rus.

“Megjithatë këtu është për të bërë diskutim të karakterit politik. Keqardhja e madhe është që sapo ministrja përmendi Skavicën, reagoi “non grata” e madhe me bojë të zezë sepse është investim amerikan. “Nuk duam investim amerikan”, thotë “non grata”. Pastaj bërtisnin nja 3 a 4 nga mbrapa. Do të bëhet Skavica. Bechtel është një emër i nderuar. Ne e mbështesim fuqimisht ndërtimin e Skavicës edhe për një arsye që të gjithë e dimë që Skavica ka një vlerë strategjike në të gjithë kaskadën e Drinit, por këtu mendjen ua kanë trazuar, dhe barkun ua kanë prishur rublat, për të cilat përsëri ju them. Ju këtu duhet të distancoheni. Ai duhet të japë përgjegjësi, ua thashë. Duhet të japë përgjegjësi si ka mundësi që kundërshton një investim amerikan. Si ka mundësi që kërcen sa herë bie diskutimi për një çështje të tillë. Si ka mundësi, që prapë ua them, ore turp nuk ka si ka mundësi që vajti kokëulur atje dhe votoi një rezolutë të hartuar në Moskë. Si ka mundësi që ne sot marrim gaz të lëngshëm amerikan për të furnizuar me energji dhe ai del e bërtet dhe frymëzon protesta kundër një kompanie amerikane. Nuk janë të rastësishme. Janë gjithmonë çështje që ndërlidhen. E vërteta është që në ditët në vijim duhet të bëheni gati për t’u njohur me fakte të tjera se kur u njohët me faktin që zyrtarisht PD është financuar me 600 mijë dollarë me burim Kremlinin ju nuk patët kurajën që të mblidheni mes vetit dhe të kërkoni përgjegjësi si ka mundësi që PD ka rënë pre e këtyre financimeve të paligjshme. Janë të ndërlidhura Ferdinand”, u shpreh Balla.