Pas përballjes në Gjykatën e Krimeve të Rënda me Shkëlzen Berishën, i cili e ka akuzuar për shpifje, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i bëri thirrje prokurorisë që të hetojë me seriozitet atë që ai e quan aferën e privatizimit të CEZ.
Pas daljes nga Gjykata e Krimeve të Rënda ku i pranishëm ishte edhe vetë Shkëlzen Berisha, Balla tha se djali i ish-kryeministri nuk ka firmosur asnjëherë në ndonjë punë dhe ka arritur të përfitojë shuma të majme për shkak të komisioneve.
"Të gjithë e dimë që kjo është një çështje që duhet hetuar. I bëj thirrje Prokurorisë që ta hetojë këtë dosje me seriozitetin më të madh, të zbatojë vendimin e Gjykatës e Krimeve të Rënda që i ka kërkuar Prokurorisë që të marrë në pyetje të personave si Shkëlzen Berisha, Genc Ruli, Sali Berisha, sikur Nue Nikalaj. I bëj thirrje prokurorisë që ky person të gjendet. Ndoshta komisionit hetimor ju shmang. Ky person duhet gjetur. Ditën për diell ka tërhequr 6.8 mln euro, para të vërtetuara që kanë qenë pagesë komisioni, e thënë shqip pagesë seksesi për një privatizim më i dështuari dhe më i rëndi për shpinën e varfër të shqiptarëve, 414 mln euro dëmi i shkaktuar shqiptarëve. Për sa i përket llokoçitjeve të të birit të babait, se paska punuar me punë të ndershme, një njeri që nuk i ka thënë një herë mirëmëngjesi punës.
Një njeri që nuk ka firmosur një herë në një vend pune dhe të vetmet të ardhura i ka deklaruar si komisione merrja këtij dhe çoja këtij. Merrni librin e deklarimit të kontrollit të pasurisë, të vetmen punë me të ardhura marramendëse. Sot isha i përgatitur të vërtetoj dy akuzat që lidhen me vlerat e përfituara nga zotëria. Zotëria thotë që është akuzuar për 200 mijë euro të ardhura nga komisioni i shitjes së një toke në fshatin Rinia në bregdet. Bëhet fjalë edhe për një transfertë tjetër 150 mijë euro. Edhe atë e kemi faturën. Sali Berisha dhe PD nuk duan që reforma në drejtësi të implementohet dhe jemi në këtë situatë me klithma kundër prokurorisë dhe gjykatësit".





