Deputeti dhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla gjatë fjalës së tij në seancën plenare, duke folur për protestat e opozitës, tha se aktet e dhunës dëmtojnë rrugën europiane të Shqipërisë dhe se Lulzim Basha nuk meriton të jetë në Parlament.

“Politikanë të papërgjegjshëm si puna e Lulzim Bashës as nuk e meritojnë të jenë në Parlament. Shqipërisë i duhet të ecë përpara ndërsa dhuna na kthen shumë shumë pas në kohë. Mjaft kohë kemi hunbur deri më tani. Ata që vranë protestuesit para 8 vitesh, tani duan të vinë prapë në pushtet përmes forcës. Politikanët e vjetër të frikësuar nga drejtësia e re që po vjen janë bërë të gjithë bashkë. Akte të tilla dhune nuk kanë asgjë të përbashkët me aspiratën europiane të shqiptarëve”, u shpreh deputeti Taulant Balla.

Kreu i grupit të PS ka përmendur edhe për mosparaqitjen e Lulzim Bashës në Prokurori, i cili ishte thirrur për të dëshmuar lidhur me hetimet për paratë e lobimit të PD-së në SHBA. Sipas Ballës, kreu i PD-së gjeti arsye për të shkuar në Bruksel, ku sipas tij ishte deklaruar se do të paraqitej Gerti Bogdani.