Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, publikoi sot gjatë seancës plenare disa foto ku shfaqet Lulzim Basha dhe Jozefina Topalli me Flamur Begën, ky i fundit i arrestuar pak ditë më parë për akuzën e trafikut të armëve dhe posedimit të minave me telekomandë.

“Flamur Bega është arrestuar për minat me sahat të vendosur në minat e fundit. Ka dalë në këtë foto me Lulzim Bashën. Çfarë duhet të them unë që minat i ka vendosur Basha?!
Ju që na flisni për dekriminalizimin. Ky person këtu quhet Flamur Bega. Është arrestuar 3 ditë më parë nga policia e shtetit shqiptar për të gjitha minat me sahat të vendosura në këtë vend në dy vitet e fundit. E keni këtu me Lulzim Bashën. Si duhet të them unë që bombat i ka vënë Lulzim Basha, sipas standardit që keni krijuar ju?

Shikoje këtu ti Manushaqe (Jozefina Topalli). Përsëri me Jozefina Topallin. A duhet të them unë që bombat dhe minat me sahat në këto dy vitet e fundit I ka vendosur Jozefina. E pra dekriminalizimi është proces që çdo njeri duhet ta kuptojë në sjelljen e vet. Në këto 4 ditë ju tregoni se nuk keni fare lidhje me gjithçka keni thënë. Jeni parti mashtruese për opinionin publik. Pasi ato që thoni nuk i respektoni vetë. Respektoni dekriminalizimin”, tha me tone të ashpra Balla.

Gjithashtu, deputeti socialist i bëri thirrje Partisë Demokratike dhe deputetëve të saj që të zbatojnë ligjin e Dekriminalizimit dhe të dorëzojnë para drejtësisë Gent Strazimirin. Ai tha se Strazimiri ishte në protestë me pistoletë ndaj dhe ai duhet përjashtuar nga Kuvendi.