Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar menjëherë pas përfundimit të protestës së Partisë Demokratike, e zhvilluar këtë të hënë para kryeministrisë.

Balla publikoi në rrjetet sociale një fotografi nga protesta, ku shfaqet kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, me flamurin kombëtar në dorë, duke e valëvitur pas fjalimit para mbështetësve.

Në sfond të imazhit duken molotovët që hidhen drejt godinës së kryeministrisë dhe shpërthejnë në flakë.

“Sali, ti nuk e djeg dot më Shqipërinë”, shkroi Balla në reagimin e tij, duke e shoqëruar me foton nga protesta.

Në përfundim të tubimit, drejt Kryeministrisë u hodhën lëndë plasëse molotov, ndërsa si pasojë e incidenteve mbetën të lënduar dy efektivë të Policisë së Shtetit, një fotograf dhe një protestues.