Ka shkuar në 54 numri i personave të arrestuar nga policia, me qëllim kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit policor antidrogë të koduar “Rrjeti”.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar lidhur me këtë operacion, ndërsa ka ndarë në rrjetin e tij social videon dhe një shënim.
“Beteja kundër prodhimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike do të intensifikohet duke kaluar në një luftë sistematike në të gjithë territorin e vendit dhe pikat e kontrollit kufitar. Përgëzime Drejtorisë së Policisë & Prokurorisë Elbasan për operacionin e koduar “Rrjeti”. Pres më shumë goditje si kjo”, shkruan Balla.
Më herët policia njoftoi kapjen edhe të dy shtetasve të tjerë të akuzuar nga gjykata si pjesëtarë të një rrjeti kriminal për prodhimin, shitjen dhe trafikimin e llojeve të ndryshme të drogave. “Si rezultat, u ndaluan shtetasit M. B., 35 vjeç dhe M. K., 34 vjeç, të dy banues në Elbasan. Për këta shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Të dy këta shtetas akuzohen se janë pjesëtarë të një rrjeti kriminal për prodhimin, shitjen dhe trafikimin e llojeve të ndryshme të drogave, veprimtari kriminale e cila u godit nga Policia e Elbasanit, më datë 29 qershor 2023, në kuadër të megaoperacionit policor antidrogë të koduar “Rrjeti”. Për këtë megaoperacion janë vënë në pranga 54 shtetas në total, si dhe janë sekuestruar sasi dhe doza të drogave të ndryshme, armë zjarri, municion luftarak, armë të ftohta dhe shuma të mëdhaja parash në valuta të ndryshme”, njoftoi policia duke bërë të ditur se vijon puna për kapjen e 3 shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni.