Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar lidhur me rastin e 15-vjeçares në Tiranë e cila ishte shantazhuar prej kohësh nga 27-vjeçari Benard Çullhaj.
Sipas ministrit, Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë dhe agjencitë partnere po punojnë për të parandaluar raste të tilla, duke u bërë thirrje qytetarëve që të mos hezitojnë për të denoncuar.
“Ngjarjet e fundit kanë rritur nevojën për të rritur vigjilencën kundër dhunës, shantazheve e gjuhës së urrejtjes online. Policia e Shtetit përmes Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm kanë identifikuar një tjetër rast shantazhi në rrjetet sociale me rrezikshmëri ndaj një minoreneje. Po bashkëpunojmë me agjencitë partnere për fuqizimin e kapaciteteve tona në përballjen me këtë formë kriminaliteti. Policia e Shtetit po rrit vigjilencën dhe forcën parandaluese, është i domosdoshëm bashkëpunimi me publikun, të cilët duhet të drejtohen pa hezitim duke kallëzuar çdo rast shantazhi e dhune përmes rrjeteve sociale, për të na dhënë mundësinë e reagimit në kohë. Në momentin më të parë të konstatimit duhet denoncur dhe jo të bini pre e shantazhit! Paralelisht po punojmë për ndryshimet ligjore kundër dhunës online, ndërsa ofruesit e rrjeteve sociale po përmirësojnë nivelin e moderimit të mesazheve në gjuhën shqipe”, thuhet në reagimin e Ballës.
Lexo me shume: