TIRANE– Deputeti socialist, Taulant Balla, që ndodhet jashtë vendit, i është përgjigjur deklaratave të djalit të kryeministrit se ai po shmang gjyqin me të nga frika e humbjes.
Balla paralajmëron Shkëlzen Berishën se edhe 138 ditë dhe drejtësia do rilindë.
“Djali i babit kryeministër kujton se mund të blejë moralin dhe dinjitetin e humbur me vendimet e gjykatës s shndërruar në një aneks të kuzhinës së Sali Berishës. Lidhur me deklaratën e tij të sotme, sqaroj se gjykata dhe gjyqtari ishin njoftuar për mungesën time për shkak të pjesëmarrjes time në një aktivitet të rëndësishëm jashtë Shqipërisë, të njoftuar publikisht dhe se seanca e sotme ishte shtyrë. Ndërkohë i rikujtoj Sali Berishës dhe kalamajve të tij që të fillojnë të mendojnë me këmbë në tokë për transparencën e pasurimit të tyre marramendës, sepse edhe 138 ditë na ndajnë nga dita kur do të rilindë edhe drejtësia e munguar. Sa për friken, i them Shkëlzenit të pyesë më mirë babin e vet se me njeh më mirë ai”,- thuhet në deklaratën e Ballës.