Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, thotë se SPAK duhet të hetojë edhe dosjen e privatizimit të OSSH.

“Punë të mbarë SPAK. Duhet të shoqërohet menjëherë me ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit. 140 dosje do të jenë punë e parë e prokurorëve. Një ndër dosjet që do të kërkoja duhet të jetë edhe kallëzimi i bërë nga Kuvendi i Shqipërisë lidhur me gjetjet e raportit të Komisionit Hetimor për privatizimin e OSSH.Janë kallëzuar autoritete të larta duke filluar nga Sali Berisha”.

Por teksa dosja vijon të jetë në gjykatë, Balla ka një kërkesë:

“Kjo çështje duhet hetuar dhe do t’i kërkoja gjykatës ta kthejë mbrapsht. Kjo dosje të jetë një ndër dosjet e SPAK.  Jam informuar që gjykata këtë çështje do ta shqyrtojë më 27 dhjetor.”

Nga Elbasani, Balla një koment pati edhe për paketën “Antishpifje”, për të cilën në minutat e fundit para votimit propozoi edhe disa ndryshime.

“Ligji kundër abuzimit në dëm të cilësisë së lajmit është luftuar vetëm me shpifje. Të gjithë  argumentat e drejtuar me keqdashje.Ne sot kemi ligj kundër shpifjes për të garantuar që puna juaj të mos baltoset nga puna e ndonjë kolegu tuaj.”