Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka zhvilluar një takim me strukturat drejtuese të Policisë së Durrësit.

Gjatë takimit, Balla u ndal tek problematikat e komunikimit me qytetarët.

Balla kërkoi që kryesisht punonjësit e Qarkullimit Rrugor të kenë etikë dhe ndëshkimi të mos jetë qëllim në punën e tyre.

“Policia Rrugore nuk është gjahtare shkelësish.

Nëse një drejtues automjeti nuk ka të vendosur rripin apo përdor telefonin e lëvizshëm gjatë drejtimit, përpara se t’i kërkoni dokumentet, është detyrim të përshëndeteni me qytetarin, pyteni çfarë halli ka që e shtyjnë të shkelë rregullat e qarkullimit rrugor, duke rrezikuar veten e të tjerët.

Pra ajo që për ne ka rëndësi është siguria rrugore, është edukimi apo ndërgjegjësimi.

Nuk është gjoba, qëllimi. Asnjë rast nuk është njësoj me tjetrin. Nuk më interesojnë “sukseset” e gjobave, por bindja e përgjithshme e qytetarëve se duhen zbatuar rregullat, jo pse është një punonjës i policisë rrugore pas kthesës, por sepse kështu mbrojmë jetë njerëzore”, tha Balla.