Taulant Balla, kryetari i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, ka uruar Albin Kurtin për fitoren e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë. Ai përgëzoi popullin kosovar për pjesëmarrjen në zgjedhje të cilën e konsideroi të jashtëzakonshme pavarësisht pandemisë dhe motit ekstrem.
Kur pa përfunduar mirë numërimi të gjitha partitë politike në Kosovë pranuan humbjen dhe Balla shtoi se kjo duhet marrë shembull nga partitë politike në Shqipëri.
“Përgëzoj popullin e Kosovës për një pjesëmarrjes së jashtëzakonshme në kushtet e pandemisë dhe kushtet e motit ekstrem. Kemi diskutuar mbi zgjedhjet në Kosovë dhe siç e thashë konstatojmë me kënaqësi që këto zgjedhje vajtën shumë mirë dhe gjej rastin të përgëzoj të gjitha partitë politike për frymën dhe standardin. Por padyshim dua ta uroj me gjithë zemër Vetëvendosjen dhe mikun tonë Albin Kurti për fitoren e këtyre zgjedhjeve. Mezi presim të votojmë me qeverinë e re, parlamentin e ri në funksion të integrimit.
Ne jemi motër e vëlla dhe sigurisht marrim nga njëri tjetri mësime, eksperienca. Ajo që për mua është e rëndësishme është që tashmë të gjitha partitë politike duhet të pranojnë rezultatin. Uroj që edhe në Shqipëri pas 25 Prillit çdo parti politike të pranojë rezultatin. Ata që humbin zgjedhjet duhet të kuptojnë që nuk është faji i popullit, por i atyre që humbin zgjedhjet”– tha Balla.





