Ministri i Brendshëm, Taulant Balla po zhvillon një vizitë në Britaninë e Madhe, ku pritet të takojë takime me zyrtarë të lartë britanikë, mes të cilëve edhe homologun James Cleverly.
Së pari, ai bashkë-drejtoi me Ministrin për Migracionin, Robert Jenrick takimin e radhës së Komitetit të Përbashkët Mbikqyrës (KPM), në kuadër të Task Forcës së Përbashkët kundër Migracionit të Jashtëligjshëm (TFPM), ku u vlerësuan rezultatet domethënëse me më shumë se 90% ulje të emigracionit të paligjshëm.
Një vit më parë, kryeministrat Rama dhe Sunak ranë dakord të thellohet bashkëpunimi në tri fusha me interes të përbashkët, për çështjet e sigurisë dhe punët e brendshme (duke u përqendruar kryesisht te lufta kundër krimit të organizuar dhe imigracionit të paligjshëm), rritja ekonomike dhe investimet, si dhe inovacioni, rinia e arsimi.
Ministri Balla theksoi se si rrjedhojë e bashkëpunimit janë arritur rezultate në luftën kundër krimit dhe për ndalimin e emigracionit ë paligjshëm.
“Përmes bashkëpunimit të shkëlqyer dhe operativ kemi arritur tashmë rezultate mbresëlënëse në luftën kundër krimit dhe për ndalimin dhe goditjen e migracionit të paligjshëm”, nënvizoi ministri i Brendshëm shqiptar.