Ministri i Brendshëm Taulant Balla priti sot në një takim gjeneralin Stuart Skeates, Koordinator Special i Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për Emigracionin e Paligjshëm.
Në fjalën e tij Balla theksoi se janë zero anije të vogla të nisura me emigrantë shqiptarë drejt Britanisë së Madhe për Janarin 2024.
Në takimin me gjeneralin Stuart Skeates, Balla ndau rezultatet e Task Forcës së Përbashkët, ku shihet se ka patur një ulje prej 93% të rasteve të emigrantëve shqiptarë krahasuar me vitin e kaluar.
“Shqipëria mbetet një partner i besueshëm në luftën e përbashkët kundër emigracionit të paligjshëm, krimit të organizuar dhe trafikut të narkotikëve”, nënvizoi Gjenerali britanik.
Ky takim u zhvillua në kuadër të takimeve të Komitetit të Përbashkët Mbikëqyrës për luftën kundër emigracionit të paligjshëm dhe fenomeneve të tjera kriminale.
Gjatë takimit Ministri theksoi se strukturat shqiptare kanë nevojë për mbështetje logjistike dhe pajisje nga pala britanike pasi nga përvoja rezulton se një mbështetje e tillë sjell rezultate maksimale.
Ministri Balla nënvizoi gjithashtu nevojën për të pasur vendimet e gjykatave britanike për shtetasit shqiptarë të dënuar atje dhe të kthyer në Shqipëri.