6 tetor 2015 – Para pak ditësh, Sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku deklaroi gjatë një koference për shtyp se njeriu i dronit të Beogradit, Ballist Morina me 100% nuk do të jetë në “Elbasan Arena” për sfidën e 8 tetorit ndaj Serbisë. Kjo pasi FSHF-ja ka marë vendimin ta shpallë “non grata” për këtë ndeshje Morinën.
Megjithatë, Ballisti i ka qejf aventurat, dhe pikërisht një të tillë ka paralajmëruar mbrëmjen e djeshme. Ai del hapur me një videomesazh duke thyer hapur urdhrin e FSHF-së dhe duke nxehur sfidën. Ballisti përmes videos së shpërndarë në Facebook, zyrtarizon praninë në Elbasan duke treguar edhe biletën e personalizuar me emrin e tij të shënuar. Ndërsa tregon se ka edhe një surprizë për kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vucic nëse do të jetë i pranishëm në Elbasan.
“Unë do të jem në Elbasan, 100% prezent përkundër atyre që janë shkruar dhe thënë. Këtë mund t’jua vërtetoj edhe me biletën time të personalizuar. Gjithashtu kam edhe një surprizë për kryeministrin serb. Kam një palë syze dhuratë për Vuçiç nëse do të jetë i pranishëm në stadium. Gjatë vizitës në Bosnje, kryeministri serb u godit me gurë nga turma ndërsa thuhet se aty humbi edhe syzet e tij. Tifozët duhet të jenë të qetë në këtë ndeshje, pasi është thjesht një ndeshje futbolli dhe si e tillë duhet trajtuar”, deklaroi Morina në video mesazhin e tij.
/portali DurresLajm/