Shefi i organizimit në PD, Klevis Balliu ka akuzuar kryebashkiakun e Kamzës për abuzim me tendera. Sipas Balliut, për tenderin për ndërtimin e rrugës Kongresi i Dibrës, Rakip Suli ia ka dhënë kompanisë në pronësi të familjes Qefalia.
“Abuzimi me fondet publike ka qenë dhe është qëllimi i kryetarit në ikje Rakip Suli, sepse këto para i duhen për blerjen e votave në fushatë. Gjithashtu, ju bëjmë me dije se, shoqëria fituese “Dajti Park 2007” Shpk është shoqëria në pronësi të familjes Qefalia, eskponentë kryesore në fushatën elektorale të Partisë Socialiste, me seli në Dajt”, tha ai.
Balliu më pas paralajmëroi: “Rakip Suli, të mos rrijë i qetë, meqenëse kanë nënshkruar persona të tjerë në cilësinë e tij si titullar i autoritetit kontraktor, sepse parashikimet e legjislacionit në fuqi, kanë të parashikuar qartë se, edhe ti si Kryetar i Bashkisë, bashkë me personat e autorizuar dhe shkelësit e ligjit, do të përgjigjeni së shpejti përpara drejtësisë.”
Denoncimi i plotë:
Në vijim të denoncimeve të mëparshme, koalicioni “Bashkë Fitojmë”, vazhdon me denoncimet publike, lidhur me shpërdorimin dhe abuzimet e fondeve publike në Bashkinë Kamëz, nga Kryetari në ikje, Rakip Suli.
Referuar Buletinit të Njoftimeve Publike datë 10 Tetor 2022, Bashkia Kamëz ka zhvilluar tenderin me objekt: “Ndërtim rruga Kongresi i Dibrës”.
Në këtë Buletin shpallet shoqëria fituese “Dajti Park 2007” Shpk.
Kontrata për këtë objekt prokurimi është lidhur në datë 17.10.2022, referuar kjo Buletinit të 24 Tetorit 2022.
Si gjithmonë, oferta më e ulët skualifikohet, ndërkohë që këtë tender duhej ta fitonte shoqëria “Dajti Park 2007” shpk, pavarësisht se të gjitha shoqëritë pjesëmarrëse në këtë tender, mund të kenë bërë marrëveshje me njëra-tjetrën, sepse të gjitha janë fituese në tendera të tjerë të zhvilluara nga Bashkia Kamëz, pra të gjitha ofertat pjesëmarrëse janë afër vlerës së fondit limit.
Kjo është bërë më qëllim që të krijohet ideja sikur në prokurim kanë marrë pjesë disa ofertues, ndërkohë që të gjithë janë fitues në tendera të tjerë të zhvilluar po nga kjo Bashki.
Ky fakt është bërë me qëllim mashtrimin e instancave ligjzbatuese, si dhe vërteton fiktivitetin që Bashkia Kamëz ndjek për prokurimet publike.
Referuar rastit konkret, shkelja flagrante e ligjit ka të bëjë me faktin se, në të njëjtin Buletin, pra atë të datës 10 Tetor 2022, po vetë Bashkia Kamëz ka bërë publike faktin që ka nënshkruar kontratën për një objekt tjetër prokurimi me shoqërinë “Dajti Park 2007” Shpk, konkretisht për rrugën “Pavarësia e Kosovës – Pasho Vasa – Pishtarët e Demokracisë”.
Pra, në të njëjtin Buletin, në të njëjtën datë edhe kanë nënshkruar kontratën edhe e kanë klasifikuar përsëri shoqëri fituese, pavarësisht se i ka patur të angazhuar punonjësit dhe makineritë në objektin që ka nënshkruar kontratën, po me të njëjtin institucion.
Ky veprim tregon papërgjegjshmërinë në mbajtjen e dy standarteve në vlerësim ku në procedura të tjera ka skualifikuar shoqëri sepse i kanë patur të angazhuar punonjësit në kontrata të tjera, ndërkohë që për shoqërinë “Dajti Park 2007” Shpk ky arsyetim nuk vlen.
Pra, të nderuar taksapagues, abuzimi me fondet publike ka qenë dhe është qëllimi i kryetarit në ikje Rakip Suli, sepse këto para i duhen për blerjen e votave në fushatë.
Gjithashtu, ju bëjmë me dije se, shoqëria fituese “Dajti Park 2007” Shpk është shoqëria në pronësi të familjes Qefalia, eskponentë kryesore në fushatën elektorale të Partisë Socialiste, me seli në Dajt.
Pra, vetem SPAK-u nuk e di që shoqëria fituese e këtij tenderi abuziv ka ndryshuar emerin nga “Qefalia” Shpk në “Vllaznia” Shpk dhe më pas në “Dajti Park 2007” Shpk.
Gjithashtu, i kërkojmë publikisht Znj. Sulejmani, dhe Znj. Elezi, si dhe të gjithë personave të autorizuar nga Kryetari në ikje Rakip Suli, të cilat ligji i ngarkon me përgjegjësi ligjore në rastin e prokurimeve abuzive, që të bashkëpunojnë me drejtësinë.
Rakip Suli, të mos rrijë i qetë, meqenëse kanë nënshkruar persona të tjerë në cilësinë e tij si titullar i autoritetit kontraktor, sepse parashikimet e legjislacionit në fuqi, kanë të parashikuar qartë se, edhe ti si Kryetar i Bashkisë, bashkë me personat e autorizuar dhe shkelësit e ligjit, do të përgjigjeni së shpejti përpara drejtësisë.