Deputeti i Partisë Demokratike Klevis Balliu ka sfiduar shefin e qeverisë, por bashkë me të edhe kreun e Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj.
I gjendur në krah të protestuesve të zonës së Astirit , deputeti tha se fëmijët dhe protestuesit kanë rënë pre e dhunës fizike dhe psikologjike gjatë dhe pas protestës.
Teksa iu përgjigj interesit të medias, Balliu shtoi se shtëpitë e banorëve nuk janë prishur dhe nuk do të prishen. Ai shtoi se Rama në bashkëpunim me Veliajn ka kaluar vijën e kuqe me qytetarët dhe për këtë do të paguajë një faturë e cila do t’i rëndojë edhe më shumë.
“Asnjë shtëpi nuk është prish dhe nuk do të prishte. Këtu nuk vendos as Rama dhe as Veliaj. Dua të denoncoj dhunën para arrestimeve dhe pas arrestimeve. Dua të denoncoj dhunën e ushtruar fizike dhe psikologjike. Ata e kanë kaluar vijën e kuqe. Ata i terrorizojmë para dhe pas protestave. Erjon Veliaj dhe Edi Rama do të mbajnë përgjegjësi. Këtu nuk është shkatërruar dhe nuk do të shkatërrohet. I ftoj mediat të publikojnë filmime, sepse këtu asnjë shtëpi nuk është prishur.
Vija e kuqe kalohet kur thyhet gishta e një të riu. Këtu janë të gjitha moshat e fëmijëve. Kjo protestë dhe kauza e kësaj proteste është diçka që e mbështete kushtetuta”, tha mes tjerash deputeti Klevis Balliu.





