PRISHTINË, 2 prill 2013 – Për të dytën herë në më pak se dy vjet, Kosova humbi një gazetë të përditshme kur “Express”-i ndali shtypjen e saj dhe gazeta, e botuar qysh prej 8 vitesh, gjendet tani vetëm në internet.

Edhe pse shumë gazeta në Ballkan dhe në botë kanë kaluar nga shtypi në internet, është vendimtare për uebsajtet e reja të ruajnë standarde të larta gazetareske për të ofruar një forum që jep raportim të sigurt dhe liri të medies, thanë analistët.

Nëpërmjet ruajtjes së besueshmërisë, media në rajon shërben si një burim përgjegjësie kundër korrupsionit dhe një mjet për të shpënë përpara lirinë e shtypit.

“Media e shtypur ka një të ardhme, por ajo kërkon mjaft para dhe një plan të mirë ekonomik për të mbijetuar”, tha për portalin “SETimes” Zhenko Duka, president i Shoqatës së Gazetarëve Kroatë dhe redaktor pranë të përditshmes kroate “Novi List”.

“Nga ana tjetër, gazetaria në internet po ul kriteret etike dhe unë mendoj se media në internet duhet të respektojë të gjitha kodet etike që përfaqësohen në medien tradicionale”.

Nehat Islami, kryetar i Këshillit të Shtypit të Kosovës thotë se të gjitha degët e medies së shtypur të vendit kanë nënshkruar një kod etike dhe se “Express”-i do të vazhdojë ta ndjekë atë si një agjenci në internet.

“Unë besoj shumë se ata do t'u përmbahen parimeve të gazetarisë edhe si media në internet dhe do të respektojnë kodin e etikës të Këshillit dhe etikën e medies”, tha Islami.

Redaktori i “Express”-it Shpend Limoni tha se vendimi për të ndërprerë shtypjen ishte një masë strategjike për shkak të zhvillimeve teknologjike dhe vështirësive financiare.

Limoni tha se studimi tregoi se 17 për qind e popullsisë në Kosovë e merr informacion nga interneti ndërsa vetëm 2 për qind nga gazetat. Ai shtoi se mbajtja e një edicioni të shtypur është kokëçarje financiare.

“Të gjitha të përditshmet në Kosovë shesin vetëm 12 000 kopje në ditë, ndërsa reklamat që janë të ardhurat kryesore financiare për një gazetë, po ulen çdo ditë”, tha Limoni.

Pesëmbëdhjetë muaj më parë, një tjetër gazetë e Kosovës, “Infopress”, ndërpreu aktivitetin.

Duka tha se shitja e medies së shtypur në Kroaci ra nga 10 në 15 për qind në vitin 2012. Vitin e kaluar, e përditshmja 72-vjeçare kroate “Vjesnik” ndërpreu shtypjen për shkak të problemeve financiare.

Pas ca muajsh si një publikim në internet, “Vjesnik”-u ndërpreu aktivitetin.

E njëjta gjë ndodhi me të përjavshmen “Nacional”, që doli në shtyp për herë të fundit në korrik 2012.

Pronarët u përpoqën të mbajnë një botim në internet, por revista 17-vjeçare u tërhoq nga biznesi me miliona euro borxhe.

Disa gazeta në Bosnjë e Hercegovinë kanë ndaluar botimin në dy vitet e fundit, duke përfshirë të përditshmet “Fokus” nga Banja-Luka dhe “San” nga Sarajeva.

Si në Bosnjë e Hercegovinë, dhe në Kroaci gazetarët janë lënë pa punë apo pa asistencë papunësie apo ndonjë përfitim tjetër për punonjësit.

Tatjana Duronjiç, profesoreshë e shkencës së informatikës në fakultetin e shkencave politike në Banja-Luka, tha se e ardhmja e kompanive është në internet.

“Tendenca në rritje e të përjavshmeve dhe të përditshmeve të shquara dhe transferimi u tyre në botime në internet konfirmon hipotezën se e ardhmja e gazetarisë është në botimet në internet", tha Duronjiç.

“Audienca është më e madhe në internet, hapësira është më e madhe. Në një kohë kur situata financiare ka prekur të gjitha sferat e shoqërisë është më e lirë të kesh prodhim në internet se sa në kopje të shtypur”.

Redaktorët e medies në internet theksojnë se ka një dallim të ndjeshëm në numrin e lexuesve midis medies së shkruar dhe asaj në internet.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”