Me rekomandimin e ekspertëve të ruajtes së trashëgimisë kulturore rajonale vendet e Evropës Juglindore kanë rënë dakort që të forcojnë bashkëpunimin në mbrojtje dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore pavarësisht problemeve politike që ndajnë disa vende.

Trashëgimia kulturore nxjerr në shesh elementë të një të kaluare dhe historie të përbashkët për vendet e rajonit. Monumenetet kulturore të Evropës Juglindore priren të mbajnë shenjat e shumë periudhave historike dhe stileve arkitektonike të dukshme në shumë kisha, manastire, xhami fortesa dhe objekte të tjera kulturore. Sipas ekspertëve, vendet e Ballkanit duhet të zhvillojnë një strategji të përbashkët për mbrojtjen dhe nxitjen e trashëgimisë kulturore, nëpërmjet projekteve të përbashkëta arkeologjike dhe studimit të trashëgimisë kulturore në Ballkan. “Ballkani ka trashëgimi kulturore të përbashkët.

Zhvillimi i një strategjie të përbashkët do t’u tregojë vendeve të tjera vlerat e vendeve arkeologjike dhe historike në këtë rajon”- thotë Alba Kreka, profesore dhe studiuese nga Shqipëria. Goçe Zura historian arti nga Maqedonia, u shpreh se ndonëse Ballkani ende lufton me fenë dhe problemet ndër-etnike, bashkëpunimi kulturor është një dosmosdoshmëri. “Për fat të keq, në Ballkan gjithçka është politizuar dhe përfshin politikën, kështu ka ndodhur edhe me kulturën. Duhet të bashkëpunojnë ekspertët nga Maqedonia, Serbia, Shqipëria e vende të tjera të Ballkanit për të zgjidhur problemet dhe le të merren politikanët vetëm me politikë. Në të kaluarën për objektet e trashëgimisë kulturore ndikuan të njëjtët njerëz, të njëjtët piktorë që punuan në to.

Për shembull, arkitektura e qytetit të lashtë në Ohër është pothuajse identike me atë në Gjirokastër në Shqipëri. Pse të mos punojmë në ruajtjen e një trashëgimie të tillë kulturore që na bashkon si një rajon?”- tha Zura. Goran Patçev, arkitekt në Institutin dhe Muezun Kombëtar të Ohrit tha se BE-ja ka fonde për bashkëpunim ndërkufitar kulturor në Ballkan. “Sëbashku me Institutin e Trashëgimisë në Selanik bëmë kërkesë për fonde nëpërmjet një projekti të përbashkët, fondet e IPA-a për materiale ndërtimi tradicionale. Manastiri i Shën Mari Perivlepta në Ohër kishte ruajtës dhe arkitektë nga Greqia dhe Italia që punojnë aty”- tha Patçev duke shtuar se Ohri ka qenë vend i mbrojtur nga UNESKO që nga 1980 dhe autoritetet e qytetit janë të gatshme të ndajnë përvojat e tyre në administrimin e trashëgimisë kulturore, ruajtjes dhe restaurimit të objekteve me qytete të ngjashme në rajon që u mungon përvoja.

Kristos Karajanidis, ekspert grek në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore tha gjithashtu se përkundër ndarjeve politike, vendet e Ballkanit duhet të bashkohen për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. “Trashëgimia kulturore na bashkon të gjithëve në Ballkan, e duhet të tregojmë kujdes e të mbrojmë trashëgiminë kulturore”- tha Karajanidisi. Një projekt i fundit në vlera evropiane në trashëgiminë kulturore përfshinte pjesëmarrjen e disa vendeve historike në rajon të ngjashëm në struktur dhe arkitekturë: Ohri në Maqedoni, Prizreni në Kosovë dhe Gjirokastra në Shqipëri.  “Në kohën e qytetërimeve të lashta kufijtë e sotëm nuk ekzistonin, vendet e përbashkëta historike janë ndarë sot nga kufijtë dhe po flasim shkencërisht ka një nevojë për bashkëpunim midis fqinjëve”-përfundon Karajanidis.