Në kohën kur në strukturat e Bashkimit Evropian po bëhen përgatitjet për sanksione ndaj Rusisë, në rast të agresionit të ri në Ukrainë, është aktualizuar edhe një herë çështja e përshtatjes së partnerëve të BE-së me politikën e saj të jashtme dhe sidomos me masat ndëshkuese.
Raportet e BE-së ndaj Rusisë, por edhe masat ndaj lidershipit të Bjellorusisë, deklaratat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në shtetet e Afrikës dhe Azisë, janë parë shpesh si test edhe për gatishmërinë që shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor shprehin për të përshtatur qëndrimet e tyre me pozicionet e përbashkëta të Bashkimit Evropian.
Ndonëse këto vende nuk kanë ndonjë detyrë ligjore që ta bëjnë një gjë të tillë, ato përmes Marrëveshjeve të Stabilizim-Asociimit kanë marrë obligime politike që të mbështesin qëndrimet e përbashkëta të BE-së në çështjet e politikës së jashtme dhe sigurisë dhe që gradualisht të arrijnë përshtatjen e plotë me këto qëndrime.
Sipas burimeve të BE-së, ka dallim të madh mes shteteve të rajonit në nivelin e përshtatjes së qëndrimeve të tyre me ato të BE-së në politikën e jashtme. Në njërën anë janë Shqipëria dhe Mali i Zi, të cilat kanë “përshtatje të plotë” me qëndrimet e BE-së dhe, në anën vjetër, Bosnja e Hercegovina dhe Serbia që shpesh dalin kundër qëndrimeve të BE-së.
Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë një përshtatje ”pothuajse të plotë”. Këto dy shtete shumë – shumë rrallë kanë ndonjë qëndrim kundër BE-së.
Në rastin e Kosovës kjo më së shumti ishte vërejtur kur Kosova vendosi, sipas një marrëveshjeje me SHBA-në, që të hapë Ambasadën në Izrael në qytetin e Jerusalemit, ndonëse BE-ja nuk e njeh atë qytet si kryeqytet të Izraelit.
Kohëve të fundit janë rritur zërat kritikë brenda BE-së, sidomos për Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën, pasi ato në rastet më të rëndësishme dalin kundër qëndrimeve të BE-së.
Një sjellje e tillë, nga disa diplomatë të disa vendeve anëtare, është konsideruar si “arsye për të dyshuar në orientimin strategjik të këtyre vendeve, të cilat kanë shprehur publikisht gatishmërinë për anëtarësim në BE”.
Çështja e qëndrimeve të Serbisë ka qenë një prej temave, për të cilat është diskutuar edhe në takimin e fundit të Këshillit të Stablizim-Asociimit.
Serbia, e cila publikisht shprehet se “asnjëherë nuk do t’i vendosë sanksione Rusisë”, në anën tjetër bën përpjekje për të mos e irrituar as Bashkimin Evropian.
Por, BE-ja ka qenë shumë e kujdesshme ndaj Serbisë sa herë që të tjerët e kanë ngritur këtë problem. Bashkimi Evropian është shprehur se “Serbia duhet gradualisht të përshtatet me politikën e jashtme të BE-së”.
Qëndrimet e Serbisë, ndonëse janë kritikuar nga aspekti politik, asnjëherë nuk kanë qenë pengesë në procesin e hapjes apo mbylljes së kapitujve në negociatat të anëtarësimit.
Edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell, është përpjekur të gjejë elemente pozitive në sjelljen e Serbisë, duke shpresuar se në këtë mënyrë do të rrisë gatishmërinë e saj për koordinim me BE-në.
“Së fundi kemi parë një rritje të përshtatjes së Serbisë me vendimet dhe qëndrimet tona në politkën e jashtme. Ne, vërtet, shpresojmë se kjo më në fund shënon një trend të qëndrueshëm dhe do të mbështetet me veprime konkrete”, ka thënë Borrell në një konferencë për shtyp me kryeministren e Serbisë, Ana Brnabiq.
Në Raportin e fundit të Progresit për Serbinë, Komisioni Evropian kishte përmendur po ashtu këtë problem. Aty ishte thënë se trendi i sjelljes së Serbisë në përshtatje me qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme “në përgjithësi mbetet i pandryshuar”.
“Një numër veprimesh nga Serbia kanë qenë në kundërshtim me pozicionet e BE-së në politikën e jashtme. Në vitin 2020 niveli i përshtatjes së Serbisë me deklaratat relevante të përfaqësuesit të Lartë në emër të BE-së apo vendimet e Këshillit të BE-së, ka qenë 56 për qind dhe është rritur në vitin 2021 në 61 për qind”, thuhej në Raportin e Progresit.
Zëdhënësi i BE-së për Çështje të Politikës së Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, i pyetur për mungesën e gatishmërisë së Serbisë që të mbështetë qëndrimet e BE-së, vetëm ka përsëritur se “Serbia së fundi ka nisur të rrisë përshtatjen me BE-në” dhe se shpreson që kjo të shënojë një kthesë.
Sa i përket Bosnje e Hercegovinës, sipas diplomatëve të BE-së në Bruksel, arsyeja e mospërshtatjes qëndron jo në orientimin e këtij shteti, por në problemet në raportet e brendshme, ku për qëndrimet në politikën e jashtme duhet të ketë konsensus nga përfaqësuesit e tre popujve konstitutiv.
Kështu, përfaqësuesit e serbëve të Bosnjës bllokojnë çfarëdo qëndrimi që shkon kundër Rusisë apo Kinës, ndërkohë që disa përfaqësues të boshnjakëve nganjëherë i pengojnë qëndrimet që shkojnë kundër ndonjë vendi aziatik.
Sipas llogaritjeve të Komisionit Evropian, shprehur në përqindje, Bosnja e Hercegovina është e fundit sa i përket përshtatjes së qëndrimeve të saj në politikën e jashtme me BE-në. Ky nivel është në vetëm 43 për qind dhe ka shënuar ulje, që ka shkaktuar shqetësim në BE.
Për Shqipërinë dhe Malin e Zi kjo çështje nuk përmendet fare, pasi nuk është problem, vetëm konstatohet se këto shtete “vazhdojnë të kenë përshtatje të plotë me qëndrimet e BE-së në Politikën e përbashkët të jashtme të BE-së”.
Sa i përket Malit të Zi prej kur në këtë shtet ishte formuar qeveria e re, e cila konsiderohej se ka elemente pro Rusisë dhe pro Serbisë, BE me kujdes kishte vëzhguar nëse do të ketë ndonjë ndryshim të kursit sa i përket qëndrimeve në politikën e jashtme. Por, pavarësisht retorikës nga ana e disa politikanëve, deri më tash është ruajtur niveli i kënaqshëm i përshtatjes së Malit të Zi me BE-në në këtë fushë.
Sa i përket Kosovës, diplomatët me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë kanë thënë se “në parim nuk ka problem”, por ka disa dallime në ato tema, në të cilat ka dallime mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe BE-së”.
Në BE vazhdojnë të kërkojnë nga shtetet e rajonit që, si dëshmi se vërtet e kanë zgjedhur integrimin në BE si synim të tyre strategjik, ta dëshmojnë këtë edhe në vepër duke e përshtatur edhe politikën e tyre të jashtme me BE-në, pasi kjo është një fushë ku më së miri promovohen edhe vlerat e përbashkëta, mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian./REL