Kombëtarja U-20 e Shqipërisë në volejboll për meshkuj ka marrë medaljen e bronzit në Ballkaniadën e kësaj grupmoshe, turne që u zhvillua gjatë kësaj jave në Tiranë. Eventi u organizua nga Federata Shqiptare e Volejbollit, me pjesëmarrjen e 8 skuadrave nga Ballkani.
Medaljen e artë e fitoi Mali i Zi, që në finale mundi 3-0 Greqinë.Shqipëria bëri një paraqitje të mirë, madje ishte pretendente për të artën. Kuqezinjtë zunë vendin e parë në Grupin A, duke i fituar të trija ndeshjet 3-0 )ndaj greqisë, Kosovës dhe Maqedonisë).
Gjithsesi, ndeshja gjysmëfinale ndaj malazezëve ishte fatale për skuadrën e trajnerit Sako, që u mund 3-1, duke humbur shansin për të artën.
Shqipëria u rikthye te fitorja në ndeshjen për vendet 3-4, ku mundi 3-2 Serbinë në një ndeshje mjaft emocionuese dhe me rivalitet. Tifozë të shumtë mbështetën ekipin gjatë këtij eventi.
Renditja përfundimtare:1-Mali i Zi, 2-Greqia, 3-Shqipëria, 4-Serbia, 5-Rumania, 6-Bosnjë-Herzegovinë, 7-Maqedonia, 8-Kosova.