4 qershor 2015 – U zhvillua në Malin e Zi Kampionati i 20-të Ballkanik për Fëmijë.Shqipëria u përfaqësua me 18 sportistë në pesha e disiplina të ndryshme mes shteteve pjesëmarrëse: Mali i Zi, Turqi, Bullgari, Serbi, Maqedoni, Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci dhe Slloveni.
Sipas Erikela Ismailgeci, sekretare e përgjithshme e Federatës Shqiptare të Karatesë, në përfundim të finaleve, kombëtarja jonë u nderua me tri medalje të bronzta. Respektivisht me vendin e tretë u nderuan: Abdullah Backa në peshën -35 kg (datëlindja 2003); Arbri Allushi në peshën +40 kg (datëlindja 2004) dhe Alteo Caco në peshën +50 kg (datëlindja 2003). Sportisti i talentuar Abdullah Backa fiton medalje për të dytin vit radhazi në kampionatet ballkanike pas asaj të 2014-s në Turqi.
Sipas trajnerit të Kombëtares shqiptare, Erblin Kacnia, paraqitje të mirë bënë gjithashtu edhe sportistet Isuf Bylyku, Enea Senja dhe Panajot Cakalli, të cilët kaluan me sukses ndeshjet e para, por nuk arritën të renditen në zonën e medaljeve. Përfaqësuesja shqiptare shoqërohej nga trajnerët Parid Dule, Mirandi Backa, Erblin Kacnia dhe Durim Koçi. Ndërkohë, e gjithë vëmendja e Federatës Shqiptare të Karatesë është te Lojërat e para Europiane “Baku 2015″ ku edhe atje do të ketë përfaqësuesin e saj. Halil Marqeshi do të jetë sportisti i vetëm nga karateja dhe do të konkurrojë në kumite në peshën -60 kg. Datat e garës së Marqeshit do të jenë 13-14 qershor. Trajneri i kombëtares është përzgjedhur Ramiz Ismailgeci.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/