Zëvendës kryeministrja, Belinda Balluku njëherazi ministre e Infrastrukturës, prezantoi nisjen nga puna të programit “Infrastruktura Bashkiake V”, dedikuar investimeve të reja në rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve në disa prej qyteteve kryesore të vendit si Shkodra, Lezha, Elbasani, Fieri, Berati dhe Vlora.

Ky program financohet nga Qeveria Gjermane, nëpërmjet KfW, Qeveria Zviceriane Bashkimi Europian si dhe Qeveria Shqiptare.

“Përmes reformës së thellë treguesit kanë nisur të përmirësohen, janë rritur arkëtimet, po punohet gjithashtu për mbledhjen e debiteve të mbartura ndër vite, por edhe ngritjen e një stafi sa më efiçent. Aktualisht, janë 33 zona urbane dhe 98 zona rurale në të gjithë vendin të cilët furnizohen me ujë të pijshëm me cilësi të lartë 24 orë. Ndërkohë përmes investimeve, numri i tyre do të rritet në fund të këtij viti. Me buxhetin 2024 dhe të gjithë paketat e tjera të programeve ne parashikojmë që të shtohen në listën e zonave që përfitojnë ujë të pijshëm të cilësisë së lartë, 24 orë edhe 13 zona urbane duke e çuar numrin në 46 të zonave urbane, dhe 45 zona rurale duke e çuar numrin në 143 zona rurale të shërbyera 24 orë me ujë, 9 prej të cilave janë zona turistike”, tha Balluku.

Nga ky program do të përfitohen rreth 266 kilometra rrjet i ri ujësjellësi, 17.4 kilometra rrjet i ri kanalizimesh, 14 mijë lidhje të reja dhe rehabilitim i lidhjeve ekzistuese, si dhe rreth 13 mijë matësa të rinj të instaluar.