Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se seanca që do mbajë Gjykata Kushtetuese më 22 janar është formale, pasi vendimi për heqjen e masës së sigurisë së pezullimit ndaj Belinda Ballukut ishte marrë në seancën e të premtes.
Ai denoncoi ndërhyrjet dhe presionet e kryeministrit, teksa shpjegoi se tashmë seanca e ardhshme e Kushtetueses është një “vendim post-mortum” dhe nuk ka më asnjë vlerë.
“Gjykata Kushtetuese e mori vendimin. Ai që do bëhet më 22 janar është një vendim post-mortum, s’ka më asnjë vlerë. Masa e sigurisë u hoq. Vendimi u mor, Edi Rama fitoi. Pasi mori licencën e dëgjuan se si sulmonte me të madhe sistemin, gjykatat”, tha ai, teksa iu përgjigj një prej pyetjeve të ndjekësve në rrjetet sociale, në komunikimin drejtpërdrejt me ta.
Kreu i selisë blu shtoi se tani rruga e vetme mbeten vetëm protesta dhe rruga, përballja me pushtetin.
“Tani ka vetëm një rrugë, protesta, rruga. 22 dhjetori është data jonë, dita jonë, nisim një betejë që nuk do ta ndalim kurrë, të dalim në protestë të gjithë. Për qeveri teknike dhe fitoren e Partisë Demokratike”, tha ai.
Berisha komentoi edhe kërkesën e Shoqatës së Gjyqtarëve për rritjen e pagave, duke e cilësuar të drejtë. Ai tha se kryeministri ka nisur t’i sulmojë hapur magjistratët për një kërkesë të drejtë, sepse kërkojnë barazi në piramidën e pagave.
Ai shpjegoi se nëse kreu i SPAK merr 7300 euro rrogë, atëherë edhe krerët e Kushtetueses dhe të Lartës duhet të marrin atë rrogë dhe jo më pak sesa vetë kryeministri.
“Çfarë kërkojnë gjykatësit në kërkesën e tyre, propocionalitetin, rrogën që u takon me Kushtetutë. Por prokurorit special i jep 7300 euro rrogë, s’e merr kush në Ballkan atë rrogë, e caktuar në kundërshtim me parimet ligjore. Kurse kryegjyqtarit të Lartë dhe Kushtetues u jep rrogë më të ulët edhe se ai. Ata kërkojnë barazi, e kërkojnë me ligj. As Enver Hoxha nuk e kishte këtë, i kishte xhelatë të tmerr, por kishte piramidë dhe në krye kishte gjykatësit”.





