Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka inspektuar paraditen e sotme punimet në Tunelin e Llogarasë.

Balluku vëzhgoi nga afër kantierin duke theksuar se puna ka ecur me ritme të shpejta.

“Jemi 5500 metra në tunelin kryesor dhe 3.4 kilometra në tunelin ndihmës. Ritmet e punës janë mbresëlënëse, ishte e pamundur të hyje dhe të dilje në krahun e Palasës nëpër kantier pasi kishte lëvizje të automjeteve, punëtorëve dhe gjithçkaje tjetër. Unë besoj se ju do të vazhdoni të mbani të njëjtat ritme, hiq ato ditë festash, që edhe gjithë punëtorët duhet të pushojnë dhe të jenë pranë familjeve”, tha Balluku.

Ajo u shpreh po ashtu se ky projekt inxhinierik është nga më të rëndësishmit dhe do t’u shërbejë të gjithë shqiptarëve.

Ka nisur me një detajim të rëndësishëm dhe një garë ndërkombëtare të projektimit, gjë që ka bërë që të papriturat të jenë shumë të pakta. Kjo është dhe një nga arsyet që ne do ta përdorim si shembull Tunelin e Llogarasë për dizejnimin inxhinierik dhe të punës së mëtejshme, të bazuar në projektime të mirëfillta”, shtoi ajo.

Ministrja tha se e rëndësishme është dhe ndërtimi i rrugës lidhëse me Palasën dhe mbyllja e këtyre punimeve sa më shpejt në mënyrë që të shmanget trafiku nga mjetet e rënda.

Pas hapjes së tunelit na pret një fazë shumë e rëndësishme. Pjesë e rëndësishme është dhe ndërtimi i rrugës lidhëse me Palasën, e cila është 1.2 kilometra. Do të mundohemi të mbyllim të gjitha këto deri në Maj që të mos lëmë automjetet e rënda të bllokojnë trafikun. Shenjat e ujit që pamë në fillim të tunelit janë të shirave, pra s’ka burim natyror. Megjithatë e rëndësishme është që vepra ka të bëjë me infrastrukturën, ky projekt ishte kthyer në një ëndërr për të gjithë shqiptarët”, përfundoi Balluku.

Tuneli hap një portë të re në jug të vendit, që synon ta kthejë jugun e Shqipërinë në një atraksion turistik jo vetëm për vendin, por për të gjithë rajonin dhe pse jo edhe për Mesdheun. Me këtë vepër aksi Orikum – Palasë do të përshkohet në vetëm 10 minuta.