Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku thotë se reformat e qeverisë shqiptare po ecin përpara, dhe se infrastruktura e burgjeve ka pësuar përmirësim.
Gjatë fjalës së saj gjatë prezantimit të flotës së re për burgjet, Balluku u shpreh se me buxhetin e vitit 2024, do të kemi një rritje të pagës me 10% për punonjësit në këtë sektor.
“Padyshim kuptojmë që kemi një përmirësim të infrastrukturës. Asnjë reformë dhe asnjë projekt nuk mund të ndodhë pa njerëzit. Kryeministri Rama, qeveria shqiptare ka punuar për ngritjen e kapaciteteve njerëzore, një lloj transforimi të thellë, kur reformat kanë nisur me vullnet të plotë të qeverisë shqiptare dhe po çohen përpara nga përkushtimi i njerëzve tanë. Flota me 22 mjete të reja, është aty për t’i çuar njerëzit në punë dhe anasjelltas. Shumë skena nga e kaluara kemi kaluar, shumë hapa kemi hedhur.
Flitet për një flotë mbi 100 automjete, por ne duhet të njohim kontributin e partnerëve tanë. Falenderojmë ambasadorin britanik që ka kontributin e tij në këtë proces. Ai punon me shumë pasion. Duhet thënë që qeveria shqiptare e çmon kontributin e qeverisë britanike në këtë proces. Kemi pasur progres në të gjitha ato fusha që kanë qenë shqetësim historik për ne. Duhet pasur parasysh që Shqipëria është partner besnik ndaj aletaëve.
Kemi pasur një ndryshim të ndjeshëm të vlerësimit përmes pagës, trajnimit të punonjësve, por edhe buxhetit të vitit 2024, do të kemi rritje të pagave me 10%. Kjo si një kërkesë dhe vëmendje e kryeministrit Rama, por edhe nga negociatat mes ministrit Manja dhe ministrit të Financave. Ky është një hap shumë i rëndësishëm, do të rrisë performancën e secilit prej jush. Pagat do të jenë të konkurrueshme me rajonin”, u shpreh Balluku.