Për herë të parë në Shqipëri është krijuar Bursa Energjetike Shqiptare, që nuk do të funksionojë vetëm për vendin tonë, por edhe për Kosovën.
Zv/Kryeministrja Belinda Balluku bëri të ditur se Bursa Energjetike Shqiptare do t’u shërbejë edhe prodhuesve privat të energjisë në vendin tonë, të cilët do të kenë mundësi të tregtojnë energjine elektrike në këtë bursë.
E këtu është fjala për energjinë e prodhuar nga panelet diellore.
“Vetëm para 1 jave së bashku me Kryeministrin kemi vizituar një nga parqet e para private që po ngrihet në zonën e Semanit. Pra janë raste konkrete. Dhe të gjitha këto sasi energjetike të cilat do t’i shtohen prodhimit tonë vendas, çdo të ndodhi me to? Ku do të tregtohen? Ato do tregtohen në mënyrë transparente dhe në një kompeticion të drejtë pikërisht në Bursën Energjetike Shqiptare. Të gjithë prodhuesit privat të energjisë elektrike do të kenë mundësi që në mënyrën më transparente të konkurrojnë me njëri-tjetrin duke përfituar nga bursa por nga ana tjetër duke i dhënë kështu edhe industrisë tonë, edhe tregut ndërkombëtar mundësinë për të marrë energji elektrike me çmime sa më të konkurrueshme dhe sa më të ulëta”, tha ndër të tjera zv/Kryeministrja Balluku.