Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku ka zhvilluar këtë të enjte një takim me pensionistët në Dibër.
Në bashkëbisedim me ta, Balluku u komunikoi se në shtatorin e këtij viti 650 mijë pensionistë do të marrin bonusin tjetër prej 5 mijë lekësh të rinj. Ajo theksoi se të ardhurat prej taksës së jashtëzakonshme të energjisë do të shkojnë në vendin e duhur, duke shtuar se qeveria e ka fokusin te ky grup në nevojë.
“Gjatë vitit të kaluar ne kemi indeksuar pensionet me 9.5% pavarësisht se inflacioni u konsiderua me 7%, qeveria e mori vendimin. Në fund të Shtatorit 2023 do ketë një indeksim të ri, në bazë të inflacionit. Të ardhurat e shtuara nga prodhimi i energjisë për disa subjekte private u vendos që t’u jepeshin pensionistëve. Janë 650 mijë pensionistë në vend që përfitojnë këtë bonus dhe 4.1 miliardë lekë që janë mbledhur gjatë marsit nga taksa e jashtëzakonshme e energjisë është vendosur nga qeveria që të shpërndahet bonusi prej 5 mijë lekësh.
Dhe do merrni këstin e dytë, që ka të njëjtën vlerë, 6-mujorin e parë dhe më pas në shtator. Në shtator përveç indeksimit do të merrni dhe pjesën tjetër të bonusit, një 5 mijë lekësh tjetër shtese kështu që duhet të keni parasysh që është në programin tonë që të kujdesemi për ju sepse ju keni kontribuar në zhvillimin e Shqipërisë dhe keni përballuar periudhën e vështirë të tranzicionit. Vëmendja e qeverisë shqiptare është tek ju, unë e di që duhet të bëjmë më shumë, por ndihem krenare që gjithë përpjekja jonë u vendos që të shkonte te ju”, tha Balluku.