Zv/Kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku ka renditur arsyet se përse u arrit tani ulja e çmimit të energjisë elektrike për abonentët familjarë nga 1 Shkurti 2025.

Në një konferencë shtypi së bashku me Kryeministrin Edi Rama, Balluku bëri me dije se faktori i parë i rëndësishëm ka të bëjë me uljen e humbjeve në rrjet dhe arsyeja e dytë ka të bëjë me pagesat e rregullta të energjisë.

“Pse ulet çmimi? Nëse do krahasonim me 10 vite më parë, të gjitha çmimet janë rritur me 30%. Ndërkohë që çmimi i energjisë në Shqipëri sot marrim vendim të rëndësishëm për ta ulur atë. Kjo vjen për shkak të performancës së sektorit. Ja kemi dalë pasi kemi përmbushur një nga kushtet teknike më të rëndësishme, që është ulja e nivelit të humbjeve duke e çuar në 17,93% krahasuar me 46% që ka qenë në vitin 2012. Të gjitha proceset e investimeve që kemi sot do na sjellin në një humbje të mëtejshme. 1% ulje korrenspondon me 7 milionë Euro kursim në vit për OSHEE.

Ky ka qenë elementi i parë. Një element tjetër i rëndësishëm ka të bëjë me normën e arkëtimit, që ka ardhur në rritje. Në 2012-2013 norma e arkëtimit ishte 65% e energjisë të shitur, jo të prodhuar. Duke mos harruar faktin se 46% e energjisë shkon në humbje. Vetëm 65% e pjesës së mbetur, e 55%-it që tregtohej, arrihej që të mblidhej në të ardhura”, u shpreh Balluku.