Itali, 28 qershor 2014 – Pas eliminimit të Italisë nga Botërori, në mënyrë graduale po dalin në pah prapaskenat që konfirmojnë se grupi i lojtarëve në skuadrën e drejtuar nga Çezare Prandeli ishte i përçarë.

Në njërin krah janë të rreshtuar “senatorët” e ekipit, ndërsa në anën tjetër lojtarët që akuzohen për sjellje rebele. Ditët e fundit është folur shumë për Mario Balotelin, por duket se në listën e të padisiplinuarve është edhe sulmuesi i Parmës, Antonio Kasano, i cili mësohet se ka shfaqur një sjellje aspak të mirë gjatë grumbullimit.

Sipas të përditshmes italiane “Repubblica”, sulmuesi i Parmës në prag të takimit kundër Uruguait është treguar shumë nervoz sapo mësoi se nuk do të ishte pjesë e titullarëve të Çezare Prandelit. Italia u duk qartë se kundër formacionit të Tabarez do të luante me dy sulmues dhe Kasano shpresonte që të luante në krah të Balotelit, por tekniku i të kaltërve preferoi të aktivizonte nga minuta e parë Çiro Imobilen.

Kur trajneri i të kaltërve ia komunikoi formacionin ekipit, numri 10 u irritua shumë dhe raportohet se u konfrontua edhe me kapitenin e Italisë, Xhanluixhi Bufon. Situata u tensionua në çastin kur mesfushori i Italisë, Andrea Pirlo, po mbante një fjalim që të karikonte skuadrën përpara ndeshjes me Uruguain.

Mirëpo Kasano ka belbëzuar, duke treguar se nuk i interesonin dhe aq shumë ato çka po thoshte shoku i tij i ekipit. Në atë çast ndërhynë Bufoni dhe Bonuçi, të cilët e ftuan sulmuesin të qetësohej, por Kasano i injoroi edhe dy lojtarët e Juventusit.

Gjesti i tij nuk është pritur aspak mirë nga mbrojtësi italian, i cili i është drejtuar duke i thënë: “Qepe ti, që në të gjithë karrierën tënde nuk ke fituar asgjë!”. Sipas së përditshmes italiane, tensioni mes Bonuçit, Bufonit dhe Kasanos erdhi në një moment të papërshtatshëm, sepse pikërisht në atë çast Pirlo po fliste për rëndësinë e një grupi të bashkuar.

Por nuk mjafton me kaq, pasi edhe Mario Baloteli ka pasur një zënkë me disa nga lojtarët e Italisë gjatë ndeshjes vendimtare të kampionatit botëror. Sulmuesi i Milanit ishte zënë fillimisht me trajnerin Çezare Prandeli, në pushim të ndeshjes kundër Uruguait.

“Secolo XIX” raporton se më pas mbrojtësi i Juventusit, Leonardo Bonuçi, kishte kërkuar nga 23-vjeçari që të largohej nga dhomat e zhveshjes, pasi kishin filluar ofendimet. Ndërkohë ka ndërhyrë mesfushori i Romës, Daniele de Rosi, i cili ka dashur ta rrihte Balotelin, mirëpo Bonuçi e ka penguar që ta bënte një gjë të tillë.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/