2 dhjetor 2014 – Aventura e Mario Balotellit te Liverpool duket se po shkon drejt fundit shumë shpejt. Kjo për shkak të formës së dobët të italianit brenda fushës, por edhe për sjelljet jashtë saj. Nëse më parë SuperMario kritikohej vetëm nga tifozët, tani është edhe tekniku Brendan Rodgers, ai i cili nuk po i kapërdin bëmat e ish sulmuesit të Milanit.
Sipas tabloidit anglez "Daily Mirror", episodi i fundit ndodhi një natë para ndeshjes në Champions League kundër Baselit, më 1 tetor. Rodgers e kishte urdhëruar Balotellin të shkonte të flinte, ndërsa italiani bashkë me disa miq të tij ka qëndruar deri në orët e para të mëngjesit në hollin e hotelit luksoz ku po qëndronte Liverpool. Futbollistët e tjerë ishin në dhomat e tyre para orës 22.00, Balotelli vazhdoi të qëndronte jashtë. Një pjesëtar i stafit e kishte lajmëruar Rodgers, gjë që e irritoi jo pak.





