16 nëntor 2014 – Mario Balotelli nuk do të jetë për ndeshjen miqësore mes Italisë dhe Shqipërisë. Mediat italiane njoftojnë se sulmuesi i Liverpulit, nuk do të ketë mundësinë që të rikthehet të luajë me fanellën e kaltër. Balotelli që u grumbullua për të parën herë nga trajneri aktual i Italisë Antonio Conte, u detyrua të largohej nga qendra stërvitore e kombëtares së të kaltërve, në Coverciano për shkak të një tendosjeje në muskujt e kofshës, së cilës i shtohet edhe një pubalgji e lehtë. Në këtë mënyrë sulmuesi që nuk e vesh fanellën e Italisë që nga Botërori zhgënjyes në Brazil, humbet shansin që kishte për të provuar Conten që të bindet për ti besuar në ndeshjen kundër Shqipërisë, pasi për ta bërë këtë i duhet të presë 2015-ën.
Po ashtu kundër Shqipërisë, nuk do të jetë edhe Angelo Ogbonna. Ashtu si Balotelli, edhe mbrojtësi i Juventusit ka lënë grumbullimin me kombëtaren dhe është kthyer në shtëpi. Gjendja e tij pas një dëmtimi muskulor është shfaqur në përmirësim, por mjekët e kombëtares italiane kanë vendosur për të evituar rrezikun e përkeqësimit të saj me një aktivizim të përshpejtuar.





