ITALI, 22 shkurt 2013– Sulmuesi i Milanit, Mario Balotelli, ka deklaruar se Mançester Siti duhet ta mbajë trajnerin aktual, Roberto Mançini, pasi italiani ka përkrahje të madhe nga lojtarët.

Kohët e fundit Mançini është duke u përballur me kritika të shumta për shkak të rezultateve të dobëta të Sitit në Ligën e Kampionëve, ku u eliminua qysh në fazën e grupeve dhe së fundmi ngecjes prej 12 pikëve me Mançester Junajtedin në Ligën Premiere.

“Askush nuk është më i mirë për Sitin sesa Mançini. Kurse ajo që ka rëndësi është fakti se futbollistët e duan. Nëse do t’i pyesni se kë e dëshironi trajner për edicionin e ardhshëm, secili prej tyre do t’u thotë se e duan Roberton. Ai nuk është vetëm trajner, por edhe mik i tyre”, ka theksuar Balotelli. Ai mendon se trofetë e fituara në edicionin e kaluar duhet t’ia sigurojnë Mançinit mbetjen në krye të skuadrës.

“Rezultatet e Roberto Mançinit me Sitin janë të shkëlqyeshme – edicionin e kaluar fitoi Kupën e Anglisë dhe titullin e kampionit në Ligën Premiere, që ishte titulli i parë pas 40 vjetësh. Madje as Aleks Fergusoni nuk fiton trofe çdo vit, por vazhdimisht është në krye të Junajtedit”, ka theksuar sulmuesi 22-vjeçar. Mançester Siti, të dielën, do të luajë para tifozëve të vet në derbin kundër Çelsit.