Mario Baloteli ka bërë të qartë se nuk është aspak nostalgjik, as për periudhën që ka kaluar më parë te Interi ku u bë i famshëm si futbollist, e sidomos për periudhën që ka kaluar në Angli me Mançester Sitin.
Sulmuesi italian ka bërë të qartë se fakti që ka zgjedhur skuadrën tjetër të Milanos, nuk e bën të ndjehet në faj ndaj tifozëve zikaltër.
“Nëse shënoj në derbi ndaj Interit do të festoj. Askush nuk mund të thotë asgjë për zgjedhjen time. Do të më vërshëllejnë por një gjë e tillë ekziston në futboll, nëse ka pasur diçka mes meje dhe tifozëve të Interit, ajo ka ekzistuar në periudhën kur gjendesha te ajo skuadër. Erdha te Milani vetëm tani, në momentin më të mirë”, tha sulmuesi i ri i kuqezinjve.
“Kjo fanellë nuk është një peshë për mua, është një nder. Prej shumë kohësh dëshiroja të luaja këtu. Tani jam i rritur dhe shpresoj që të rri këtu për një kohë të gjatë. Në krahasim me periudhën e Interit jam rritur. Këtu dua të fitoj si protagonist, një gjë e cila nuk më ndodhi kur isha te Interi”theksoi ai.
Në fund, “SuperMario” nuk ka nguruar të thotë se nuk do të ndjejë shumë nostalgji për Anglinë, edhe pse pranon se kampionati atje është i një cilësie më të lartë se ai italian.