Mario Balotelli ka gjetur në Turqi trampolinën që i duhej për t’u katapultuar sërish në futbollin e madh.

Në Adana Demirspor, në Turqi, po tregon se ka ende diçka nga “Djaloshi i Artë” që premtoi dikur se do të luftonte për “Topin e Artë”. Është thirrur sërish në përfaqësuesen e Italisë, dhe, përveç kësaj, është vënë në qendër të një lufte mes presidentit të skuadrës së tij, Murat Sancak, dhe atij të Besiktashit, Ahmet Nur Cebi.

Sancak deklaroi se Adana Demirspor vitin e ardhshëm do të përpiqet të nënshkruajë me Senol Gunes, aktualisht trajner i Besiktasit, diçka që nuk i ka pëlqyer homologut të tij Ahmet Nur Cebi, që është kundërpërgjigjur: “Nuk më kujtohet që Sancak është shefi i Besiktasit, nuk më kujtohet.

Nuk është e përshtatshme që presidenti i Adana Demirsporit të bëjë një deklaratë në lidhje me Besiktasin dhe që për më tepër është një gënjeshtër e madhe. Atëherë mund t’ju jap informacione nga Adana. Vincenzo Montella do të shkojë te Trabzonspori sezonin e ardhshëm dhe Mario Balotelli do t’i bashkohet Juventusit”.

SuperMario ka edhe dy vite të tjera nga kontrata e tij, por duket qartë se ai ka fituar statusin e “yllit” të skuadrës së tij, deri në atë pikë sa e përdor emrin e tij si të ishte një shigjetë helmuese.